Siner i pandalshëm në tenis, me rekord në raundin e tretë të Uimbëlldonit

Janik Siner, pasi i dha fund serisë prej pesë humbjesh në ndeshjet që shkonin në pesë sete me fitoren ndaj Miomir Kecmanoviç në raundin e parë, siguroi këtë të mërkurë kualifikimin në raundin e tretë të Uimbëlldonit. Viktima e tij e nëntë radhazi në barin e “All England Club” ishte portugezi Nunjo Borges, të cilin e mposhti me rezultatin 7-6 (4), 7-6 (2), 6-4. Siner tani ndodhet pesë fitore larg mbrojtjes së titullit dhe fitimit të trofeut të pestë Grand Slam në karrierë. Vetëm nëntë tenistë në Epokën Open, mes tyre edhe Karlos Alkaraz, kanë arritur ta mbrojnë me sukses titullin në Uimbëlldon.

Në moshën vetëm 24-vjeçare, italiani ka hyrë në historinë e tenisit të vendit të tij, duke u bërë lojtari me më shumë ndeshje të fituara në turnetë Grand Slam. Ai ka regjistruar gjithsej 95 fitore, një më shumë se bashkëkombësi i tij legjendar, Nikola Pietranxheli. Shifra simbolike prej 100 fitoresh është tashmë shumë pranë. Siner mund ta arrijë atë nëse shpallet kampion më 12 korrik në barin e “Katedrales së Tenisit”, siç njihet Uimbëlldoni. NDESHJA Sfida rezultoi relativisht e lehtë për Sinerin, ndonëse e mposhti Borgesin me rezultatin 3-0, duke siguroi kualifikimin në raundin e tretë.

Seti i parë ishte i ekuilibruar dhe kaloi pa asnjë thyerje të shërbimit, megjithëse Siner pati tri mundësi për “break” që në lojën e parë. Të dy tenistët shkuan deri në “tie-break” pas barazimit 6-6, ku numri një i botës tregoi qetësi dhe cilësi, duke triumfuar 7-4 për të fituar setin 7-6 dhe për të kaluar në avantazh 1-0. Seti i dytë rezultoi më i ndërlikuar për italianin. Borges i theu shërbimin në rezultatin 1-1 dhe krijoi epërsi, por kur portugezi shërbeu për setin në 5-4, Siner shpëtoi një “set point” dhe reagoi menjëherë me kundër “break” për të barazuar shifrat.

Edhe këtë herë fituesi i setit u përcaktua në “tie-break”, ku Siner ishte i pagabueshëm, fitoi 7-2 dhe përsëriti rezultatin 7-6, duke kaluar në epërsi 2-0 me sete. Italiani shfrytëzoi momentin pozitiv dhe e nisi setin e tretë me një tjetër “break”, por Borges reagoi menjëherë, duke lënë të kuptohej se ndeshja mund të merrte një tjetër drejtim. Megjithatë, Siner përfitoi nga gabimet e portugezit në lojën pasuese, realizoi “break”-un e dytë radhazi dhe më pas mbylli gjithçka me shërbimin e tij, duke fituar setin 6-4 dhe ndeshjen 3-0, edhe pse Borges arriti të anulonte një “match point”. Në raundin e tretë, Siner do të përballet të premten me amerikanin Xhenson Bruksbi, i cili eliminoi me rezultatin 3-0 peruanin Injacio Buse.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×