Sekuestrohen 2.6 tonë kokainë në Atlantik, 4 të arrestuar, mes tyre 1 shqiptar. Vlera e drogës, 500 milionë euro

Një nga operacionet më të mëdha ndërkombëtare kundër trafikut të drogës është finalizuar në Oqeanin Atlantik, ku autoritetet e Italisë, Spanjës dhe Portugalisë sekuestruan mbi 2.6 tonë kokainë dhe arrestuan katër persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar të narkotikëve.

Sipas autoriteteve italiane, vlera e ngarkesës së sekuestruar llogaritet rreth 78 milionë euro në tregun me shumicë, ndërsa nëse droga do të shpërndahej në tregun me pakicë, fitimet e paligjshme mund të arrinin deri në 500 milionë euro.

Operacioni u zhvillua pas disa muajsh hetimesh të drejtuara nga Zyra e Prokurorisë Antimafia e Brescias dhe Guardia di Finanza, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet spanjolle dhe portugeze.

Hetimet çuan në identifikimin e një mjeti lundrues të tipit “go fast”, një gomone me shpejtësi të lartë, e cila po lundronte pranë brigjeve të Lisbonës. Mjeti u neutralizua nga Policia Maritima portugeze në kuadër të operacionit të përbashkët ndërkombëtar, me mbështetjen e Qendrës së Analizës dhe Operacioneve Detare për Narkotikët (MAOC-N) dhe Drejtorisë Qendrore Italiane për Shërbimet Antidrogë (DCSA).

Gjatë ndërhyrjes u arrestuan katër persona: dy shtetas spanjollë, një shtetas i Gjibraltarit dhe një shtetas shqiptar. Sipas Guardia di Finanza, shqiptari ishte banues në Mantova dhe kishte një adresë të regjistruar në provincën e Brescias.

Autoritetet italiane bënë të ditur se objektivi u monitorua vazhdimisht nga ajri me mjete speciale të pajisura me sisteme të avancuara të mbikëqyrjes detare. Avioni ishte dislokuar në Gadishullin Iberik në kuadër të operacioneve për kontrollin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian, duke luajtur rol vendimtar në lokalizimin dhe bllokimin e mjetit lundrues.

Sipas hetimeve, anijet e tipit “go fast”, me gjatësi 10 deri në 16 metra dhe të pajisura me motorë shumë të fuqishëm, përdoren gjerësisht nga rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës. Ato shërbejnë për të marrë ngarkesa kokaine të transportuara më parë nga Amerika e Jugut dhe të lëna në det nga anije më të mëdha, për t’i transportuar më pas drejt brigjeve evropiane dhe për t’i futur në rrjetet e shpërndarjes së narkotikëve në kontinent.

Autoritetet theksojnë se operacioni përbën një goditje të rëndësishme ndaj trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe rrjeteve kriminale që veprojnë mes Amerikës së Jugut dhe Evropës.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×