
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që tronditi fshatin Domen të Postribës në Shkodër, ku një nënë 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur humbën jetën pasi banesa u përfshi nga flakët.
Viktimat janë identifikuar si Bleona Çelaj, 24 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Mësohet se nëna me dy fëmijët sapo ishin kthyer nga Gjermania për të kaluar disa ditë në vendlindje.
Sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja, familja kishte shkuar gjatë ditës në banesën e vjetër të familjes në Domen, e cila nuk ishte e banuar prej kohësh, me qëllim pastrimin dhe qëndrimin aty. Dyshimet e para të hetuesve lidhen me një bombol gazi të gjetur në banesë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që shpërthimi i saj të ketë shkaktuar zjarrin. Megjithatë, shkaku i saktë i tragjedisë do të përcaktohet pas përfundimit të hetimeve.
Terreni i thepisur ku ndodhej banesa ka vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës. Për të mbërritur në zonë nevojiten rreth 20-30 minuta ecje nga rruga kryesore, çka ka vonuar mbërritjen e zjarrfikësve.
Kur shërbimet zjarrfikëse dhe policia kanë mbërritur në vendngjarje, banesa ishte shkrumbuar plotësisht. Tre viktimat janë gjetur pa shenja jete brenda saj. Sipas informacioneve paraprake, njëri prej fëmijëve është gjetur pranë nënës, ndërsa fëmija tjetër disa metra më larg.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes tragjike.
and then