
Legjionarët shqiptarë kanë spikatur sërish me skuadrat e tyre në kampionatet ndërkombëtare, duke kontribuar me gola dhe asiste në ndeshjet e kësaj jave.
Myrto Uzuni ishte një nga protagonistët kryesorë, duke realizuar dy gola në fitoren me përmbysje 2-1 të Austin FC në transfertën ndaj Sporting Kansas City. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 64-t, ndërsa në minutën e 86-të shënoi golin e dytë personal, duke vulosur suksesin e skuadrës së tij. Pas 23 paraqitjeve në kampionat, Uzuni shkon në kuotën e nëntë golave dhe dy asisteve.
Në Iran, Jasir Asani vazhdoi të konfirmojë formën e mirë me fanellën e Esteghlal FC. Sulmuesi shqiptar shënoi në minutën e 29-të në barazimin 1-1 në transfertën ndaj Chadormalu. Ky ishte goli i katërt i Asanit në kampionat këtë sezon, duke vijuar kontributin e tij në repartin ofensiv të skuadrës.
Një tjetër gol i rëndësishëm erdhi nga Nedim Bajrami. Mesfushori i Kombëtares shqiptare realizoi golin e tij të parë me fanellën e Al Taawoun në elitën e futbollit saudit, në përballjen ndaj Al Riyadh. Bajrami u aktivizua në minutën e 72-të dhe vetëm gjashtë minuta më vonë dërgoi topin në rrjetë me një goditje të fortë nga jashtë zonës. Megjithatë, skuadra e tij u mposht me rezultatin 2-1.
Kontribut dha edhe Sabah Kerjota në kampionatin skocez. Sulmuesi shqiptar asistoi në golin e parë të Hearts në fitoren 2-0 në transfertë ndaj Motherwell. Kerjota krosoi saktë nga krahu i djathtë, duke gjetur Braga, i cili dërgoi topin në rrjetë me kokë dhe ndihmoi skuadrën e tij të kalonte në avantazh.
Përveç futbollistëve që spikatën me gola dhe asiste, një numër i konsiderueshëm lojtarësh të Kombëtares shqiptare u aktivizuan si titullarë me skuadrat e tyre gjatë kësaj fundjave.
and then