Ekstradohet nga SHBA drejt Shqipërisë, Sokol Hoxha/ Vrasësi i trefishtë që kishte qëndruar në arrati për 30 vite

Sokol Hoxha është ekstraduar në Shqipëri, pas arrestimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u arrestua në maj të këtij viti, pas gati 30 vitesh në arrati. Ai akuzohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen e tre personave në Shqipëri dhe Belgjikë.

Hoxha është dënuar në mungesë me 25 vite burg në Shqipëri për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos, në mars të vitit 1997. Pas ngjarjes së rëndë, ai u arratis fillimisht drejt Greqisë dhe më pas u vendos në Belgjikë.

Në Belgjikë, ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit, një shqiptare të cilën, sipas hetimeve, më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion. Ngjarja ndodhi më 29 gusht 1997 në një lokal në Bruksel, pasi gruaja dyshohet se kishte kundërshtuar shfrytëzimin e saj.

Sipas hetimeve ndërkombëtare, aktiviteti kriminal i Hoxhës në Belgjikë lidhej kryesisht me shfrytëzimin e prostitucionit. Hetuesit dyshojnë se ai kishte organizuar një martesë me Brunildën, e cila në disa dokumente rezultonte edhe me mbiemrin Hoxha, për të krijuar një lidhje ligjore që i shërbente kontrollit mbi të.

Pas vrasjes në Belgjikë, Hoxha dyshohet se u largua drejt Britanisë së Madhe me dokumente të falsifikuara kosovare, ku siguroi leje qëndrimi. Më pas, në fillim të viteve 2000, ai u zhvendos në SHBA dhe jetoi me një identitet tjetër.

Ai u arrestua më 13 maj 2026 në Shtetet e Bashkuara, pas një operacioni të koordinuar ndërkombëtar, duke i dhënë fund një arratie gati tre dekadëshe. Autoritetet shqiptare tashmë pritet të vijojnë procedurat ligjore ndaj tij për dënimin e dhënë për vrasjen e dy vëllezërve Banaj.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×