Në Premier Ligë nxjerrin jashtë planeve Anis Mehmetin, yjet e Hollivudit dhe Tom Bredi vihen në ndjekje të futbollistit të Kombëtares

Anis Mehmeti duket se do ta shtyjë debutimin e tij në Premier Ligë, pasi aktualisht nuk shihet ndër zgjedhjet e preferuara të trajnerit Geri O’Nill te Ipsuiçi. Kjo u pa qartë në ndeshjen e parë të kampionatit, ku sulmuesi i kombëtares shqiptare nuk ishte as në stol për duelin kundër Sandërlendit në javën e parë të Premier Ligës.

Prej javësh diskutohet se Mehmeti duhet të gjejë një sistemim të ri dhe duket se alternativat për të ardhmen e tij nuk mungojnë, edhe pse kjo nënkupton zbritjen përsëri në Championship. Mediat angleze bëjnë të ditur se tashmë ka tre klube të ndryshme që kërkojnë shërbimet e tij dhe e shohin si një element që mund t’i ndihmojë për të arritur objektivat.

I pari është klubi uellsian i Reksamit, i bërë i famshëm vitet e fundit pasi drejtohet nga dy yjet e Hollivudit, Rajan Rejnolds dhe Rob MekEleni. Skuadra uellsiane ka ambicie për t’u ngjitur në Premier Ligë dhe ishte vetëm një hap larg play-off-it në Championship një sezon më parë.

E njëjta situatë është për ekipin tjetër që e ka piketuar, Birmingemin, i cili kontrollohet po nga një grup investitorësh amerikanë, mes të cilëve është edhe ikona e NFL-së, Tom Bredi.

Ndërkohë, skuadra e tretë është Derbi Kaunti, e cila po kërkon të plotësojë ekipin me lojtarë që ta ndihmojnë që të sigurojë qetësisht mbijetesën në këtë sezon në kategorinë e dytë angleze.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×