
Gushti i vitit 2026 do të mbetet një muaj dhimbjeje për shumë familje shqiptare. Mes zjarreve, aksidenteve dhe tragjedive të tjera, një ngjarje e rëndë tronditi edhe një familje në Pogradec, ku një 37-vjeçare shtatzënë humbi jetën gjatë transportit drejt Tiranës, ndërsa priste të sillte në jetë fëmijën e saj.
Nëna ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe, sipas familjarëve, shtatzënia ishte ndjekur në mënyrë të vazhdueshme përmes analizave dhe kontrolleve mjekësore, të cilat deri atëherë kishin rezultuar normale.
Në emisionin “Me Zemër të Hapur”, të autores dhe moderatores Evis Ahmeti, motra e 37-vjeçares ka rrëfyer me dhimbje orët e fundit të jetës së saj dhe pretendimet për mënyrën se si u menaxhua situata në spital.
“Nuk kam fjalë të përshkruaj tragjedinë. Situata duhet të ishte parandaluar. Që në momentin që e çova në maternitet, për një operacion që mund të ishte bërë shumë shpejt, motra dhe fëmija do të ishin gjallë. Motra më telefonoi në orën 12:00. Shkova shumë shpejt sepse jetojmë afër. Në spital ishte doktoresha roje. Tensioni po i ulej në vijimësi. Këtë e mbaj mend shumë mirë. Motra kishte shumë dhimbje të forta në bark, ndaj më thirri. Ishte 7-muajshe, ndiqej në vijimësi me analiza dhe kontrolle. Gjithçka i kishte dalë në rregull”, rrëfeu motra.
Sipas dëshmisë së saj, mjekja që ndodhej në spital e kishte konsideruar situatën të rëndë dhe kishte kërkuar ndërhyrje urgjente.
“Doktoresha ku e dërguam ishte shumë e shqetësuar. Tha: Duhet një sallë operacioni, duhet një kirurg, duhet një helikopter”, tregoi ajo.
Motra e 37-vjeçares tha se më pas iu komunikua se pacientja duhej të nisej urgjentisht drejt Tiranës. Ajo dëgjoi se nevojitej një urdhër për transportin dhe tentoi të kontaktonte drejtorin e spitalit.
“Dëgjova që po thonin duhet të japë dikush urdhër dhe thashë: kush duhet të japë urdhër, drejtori? Sepse ia kisha numrin dhe thashë ta telefonoja. Por një nga ata që ishin aty më tha: ‘Lëre se e rregulluam’”, rrëfeu ajo.
Sipas saj, në vend që të nisej menjëherë drejt Tiranës, motra u ngjit në një tjetër ambient të spitalit, ku iu vendosën serume dhe iu dha gjak.
Një nga momentet më të dhimbshme të rrëfimit është ai kur 37-vjeçarja, edhe pse në gjendje të rënduar, ishte ende e vetëdijshme dhe shqetësohej për fëmijën që mbante në bark.
“Motra ishte e vetëdijshme, madje pyeste infermieret nëse do të shpëtonte foshnja”, tregoi motra e saj.
Sipas rrëfimit, familjarët kishin mbërritur në spital rreth mesditës, ndërsa në orët e para të natës situata u përkeqësua.
“Në spital shkuam në 12:00 dhe nga ora 2 e natës jemi ngjitur në reanimacion”, tha ajo.
Motra e 37-vjeçares ngre pikëpyetje mbi vonesën e ndërhyrjes dhe transportit drejt Tiranës, duke e lidhur humbjen e jetës së saj me mungesën e një salle operacioni. “Për një sallë operacioni më iku motra. Në hyrje të Elbasanit ka qenë momenti që ajo nuk po kthente më përgjigje. Infermieri i tha shoferit të kthehej urgjent për në Elbasan. Por unë mendoj që ajo ka ndërruar jetë që në autoambulancë”, rrëfeu motra.
Familja tashmë kërkon të zbardhen të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe të përcaktohet nëse vonesat në ndërhyrje apo transport kanë ndikuar në fatin tragjik të 37-vjeçares dhe foshnjës së saj.
and then