
Alket Rizai është sërish në kërkim nga Policia greke, pasi nuk u kthye në burgun e Domokos pas përfundimit të lejes. I dënuari shqiptar dyshohet se u përfshi në një incident me të shtëna në orët e para të së dielës, më 13 shtator, në Anavyssos, dhe që prej atëherë nuk është rikthyer në qeli.Kjo ishte leja e 17-të që Rizai kishte marrë që nga viti 2021. Në 16 rastet e mëparshme ai ishte kthyer në burg, ndërsa këtë herë vendosi të mos paraqitej në orarin e përcaktuar.
Por kjo nuk është arratisja e parë e bujshme e Alket Rizait. Ai është arratisur dy herë nga burgu i Korydallos me helikopter, së bashku me të shumëkërkuarin grek Vasilis Paleokostas, duke shkaktuar një prej skandaleve më të mëdha të sigurisë në sistemin penitenciar grek. Alket Rizai, i lindur më 24 maj 1978 në Balçik të Shqipërisë, u bë i njohur për autoritetet greke që në fillim të viteve ’90, për çështje të lidhura me drogën. Në vitin 2003, ai dyshohet se planifikoi vrasjen e biznesmenit grek Thanasis Koropiotis, pas një keqkuptimi që lidhej me partneren e tij. Sipas hetimeve, Rizai dhe bashkëpunëtorët e tij e çuan viktimën në një zonë të pyllëzuar në Atikën Verilindore, ku ai u vra dhe më pas trupi i tij u zhduk.
Rizai u arrestua rreth një muaj më vonë, në një apartament në Nea Filadelfia.
Arratisja e parë me helikopter
Më 4 qershor 2006, Rizai u arratis nga burgu i Korydallos me një helikopter, së bashku me Vasilis Paleokostas. Arratisja spektakolare shkaktoi reagime të forta në Greqi dhe ngriti pikëpyetje serioze mbi masat e sigurisë në burgje. Gjatë periudhës që ishte në arrati, më 26 gusht 2006, Rizai akuzohet se vrau në Peristeri 43-vjeçarin Konstantinos Koutelieris dhe 36-vjeçarin Ioannis Katsios. Sipas hetimeve, vrasjet u kryen me urdhër të një prej figurave të fuqishme të mafies greke, Vasilis Stefanakos. Rizai u arrestua disa ditë më vonë. Por historia u përsërit. Më 22 shkurt 2009, ai u arratis sërish me helikopter nga Korydallos, përsëri së bashku me Paleokostas. Pas disa muajsh në arrati, Rizai u arrestua në Grammatiko.
Pengmarrja në burgun e Malandrinos
Në vitin 2013, Rizai tentoi një tjetër arratisje, këtë herë duke marrë peng pesë oficerë burgu në Malandrino. Pas rreth 24 orësh negociata, ai u dorëzua përfundimisht te autoritetet. Në janar 2021, pasi kishte përfituar pesë ditë leje nga burgu, ai u arrestua sërish pasi u pikas duke drejtuar një automjet BMW, së bashku me dy persona të konsideruar të rrezikshëm, gjatë një kontrolli të rastësishëm të trafikut.
Rizai është dënuar dy herë me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit Penal me Pesë Anëtarë e Pireut për vrasjen e Konstantinos Koutelieris dhe Ioannis Katsios. Për arratisjen me helikopter nga Korydallos, ai ka marrë gjithashtu një dënim total prej 25 vitesh burg. Incidenti i fundit ndodhi në orët e para të së dielës, jashtë një bari plazhi në Anavyssos. Rizai ndodhej jashtë burgut me leje kur dyshohet se u përfshi në përplasjen me armë. Policia greke po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në vendngjarje për të zbardhur se çfarë ndodhi. Dy persona mbetën të plagosur gjatë incidentit. Rizai duhej të kthehej në burgun e Domokos mëngjesin e së hënës, më 14 shtator, por nuk u paraqit. Për këtë arsye, ai është shpallur në kërkim dhe policia greke ka nisur operacionin për gjetjen dhe arrestimin e tij.
and then