I është bërë makth, Skënderbeu investon përsëri dhe “zhduket” një muaj nga Korça

Klubi korçar është i detyruar t’i rikthehet sërish tapetit të fushës së stadiumit “Skënderbeu”, pasi investimi i kryer së fundmi nuk rezultoi i suksesshëm.

Gjendja e terrenit u pa qartë në sfidën ndaj Tiranës, ku fusha nuk ishte në nivelin e kërkuar, pavarësisht se bëhej fjalë për një sipërfaqe të saporikonstruktuar. Përballë këtij dështimi, në Korçë është hapur një tjetër tender për mbjelljen e barit në tapetin e stadiumit. Korçarët do të investojnë sërish për ta rikthyer fushën në standardin që ka pasur në edicionet e fundit.

Skënderbeu është favorizuar edhe nga kalendari, pasi kampionati do të ndërpritet për shkak të angazhimeve të Kombëtares. Këtë fundjavë, skuadra e Julian Ahmatajt do të luajë në transfertë ndaj Vorës, ndërsa më pas vjen pushimi i kampionatit. Pas angazhimeve të Kombëtares, Skënderbeu do të luajë sërish në transfertë, këtë herë ndaj Teutës në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Sipas kalendarit, korçarët do të rikthehen në shtëpi më 17 tetor, në përballjen ndaj Elbasanit.

Pra, klubi korçar ka rreth një muaj kohë për të ndërhyrë në terrenin e stadiumit dhe për ta sjellë atë në gjendjen e duhur. Synimi është që “Skënderbeu” të jetë gati për rikthimin e skuadrës në shtëpi. Ndërkohë, sa i përket transfertës ndaj Vorës, trajneri Julian Ahmataj e ka grupin e plotë dhe shpreson që Skënderbeu të rikthehet te fitorja dhe të marrë tri pikët.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×