Grabitën me dhunë dy pika karburanti në Bulqizë, identifikohet njëri prej autorëve

Dy pika karburanti janë grabitur me dhunë gjatë natës në Bulqizë dhe Fushë-Bulqizë, ndërsa Policia ka identifikuar një prej autorëve të dyshuar dhe e ka shpallur në kërkim. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:54, kur një 32-vjeçar, në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar, dyshohet se ka shkuar në dy pika karburanti dhe u ka marrë me dhunë punonjësve xhiron ditore.

Në pikën e karburantit në Bulqizë autorët dyshohet se kanë marrë 18.300 lekë, ndërsa në pikën tjetër, në Fushë-Bulqizë, kanë grabitur 38.600 lekë. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Dibër, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore dhe kontrollet në zonë. Si rezultat i hetimeve është identifikuar shtetasi A. H., 32 vjeç, banues në Bulqizë, i cili dyshohet se është njëri prej autorëve. Për të është bërë shpallja në kërkim, ndërsa vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë kontrolleve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një automjet tip “Toyota”, pa targa, si dhe një motomjet. Të dyja mjetet dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së grabitjeve. Ndërkohë, vijon puna për identifikimin e personit tjetër që dyshohet se ka marrë pjesë në ngjarje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×