
Një 46-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Shijakut, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin tokës së tij dhe flakët janë përhapur në disa parcela pranë banesave në fshatin Rreth. Ngjarja u konstatua mesditën e djeshme, pas njoftimit për një zjarr që kishte përfshirë disa sipërfaqe toke në këtë zonë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak shkuan menjëherë në vendngjarje dhe nisën veprimet hetimore për përcaktimin e shkakut të zjarrit.
Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasi E. M., banues në fshatin Rreth, kishte ndezur zjarr në tokën e tij. Për shkak të përhapjes së flakëve, zjarri më pas përfshiu edhe sipërfaqe të tjera toke të ndara në parcela, të cilat ndodheshin pranë banesave të fshatit. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak bënë arrestimin në flagrancë të 46-vjeçarit, i cili akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.
Policia e Durrësit u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht në afërsi të banesave dhe sipërfaqeve të mbjella.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie, duke garantuar reagim të menjëhershëm.
and then