
Skandali që ka përfshirë Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH) pas zbardhjes së komunikimeve komprometuese dhe caktimit të masës së sigurisë ndaj ish-drejtueses Vlora Hyseni, ka qenë në qendër të diskutimit në emisionin “Minuta e Parë” në News24, moderuar nga gazetarja Ola Bruko.
I ftuar në emision, eksperti i sigurisë Ilir Çepani bëri një analizë të thelluar lidhur me procedurat hetimore, si dhe kritereve mjaft debatuese që u ndoqën për emërimin e Hysenit në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Sipas Çepanit, emërimi i Vlora Hysenit nga kryeministri Edi Rama kapërceu standardet ligjore të sovranitetit të shtetit shqiptar dhe analizën e nevojshme të riskut.
“Referuar praktikave në vendet demokratike mbi certifikatat e sigurisë, ata që kanë akses në mbikëqyrjen e shërbimeve të rëndësishme kanë standarde të përcaktuara qartë. Në poste të tilla të rëndësishme duhet të vendosen shtetas të Republikës së Shqipërisë, me shtetësi dhe kombësi të lindur në Shqipëri. Zonja Hyseni nuk e përmbush këtë kusht. Unë kam bërë kritika për këtë,” deklaroi ai.
Çepani theksoi se vendimmarrja u udhëhoq nga rekomandime të jashtme e diskrecion i tepruar politik, duke anashkaluar faktin se Hyseni nuk i njihte nga brenda strukturat e kundërzbulimit dhe territorin e Shqipërisë.
“Shteti shqiptar ka sovranitet të plotë kur përcakton funksionarë të kësaj natyre dhe i referohet vetëm ligjit shqiptar dhe jo rekomandimeve nga jashtë. Abuzohet me një diskrecion që ka kryeministri duke shkelur këtë standard. Duhej bërë një analizë risku për këtë emërim! Kjo vjen nga një shtet tjetër, ku e di ajo ku i bie Bilishti për shembull, kush janë strukturat tona të brendshme të shërbimeve informative e të kundërzbulimit. Pra, ajo nuk ka haber.”
Në përmbyllje të fjalës së tij, eksperti rikujtoi rrethanat e largimit të Hysenit nga postet e inteligjencës në Prishtinë përpara se të merrte drejtimin e SHISH-it në Tiranë.
Sipas Çepanit, i gjithë procesi i ardhjes së saj në krye të shërbimit sekret shqiptar mbante hije të mëdha dyshimi që në krye të herës, për shkak të shkarkimit të saj nga autoritetet në Kosovë.
“Ardhja e shpejtë krijoi edhe një mospajtim ose reagime këtu që nuk ishin të pëlqyeshme sepse këtu ka një kulturë. Pavarësisht CV-së së prezantuar, ajo iku në mënyrë të paqartë dhe u shkarkua nga detyra në Kosovë për rrjedhje informacioni në drejtim të Serbisë,” përfundoi Ilir Çepani.
and then