
Vijon operacioni policor i koduar “Shkolla të pastra”, ndërsa një 28-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se mbante në banesë armë zjarri dhe lëndë narkotike. Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, ndërhynë në një banesë në rrugën “Rreshit Petrela”, pas sigurimit të informacionit për vendndodhjen e të kërkuarit.
Gjatë kontrollit, në banesë u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë zjarri, pistoleta, së bashku me municion luftarak që dyshohet se 28-vjeçari i posedonte pa leje. Gjithashtu, Policia sekuestroi 363 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në 235 doza, që dyshohet se ishin për qëllim shitjeje, si dhe një peshore elektronike. Në pranga përfundoi shtetasi Orges Ferazini, 28 vjeç, banues në Tiranë. Ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”, pasi Gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas Policisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të përfshirjes së 28-vjeçarit në veprimtari kriminale, si dhe për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
and then