Transportonin 4 afganë drejt Malit të Zi, arrestohen dy shtetas të huaj në Shkodër

Dy shtetas të huaj janë arrestuar në Shkodër, pasi u kapën duke transportuar me automjet katër shtetas nga Afganistani, të cilët dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me Malin e Zi.

Operacioni i koduar “Transit 2” u finalizua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në kuadër të kontrolleve për parandalimin e rasteve të dhënies së ndihmës emigrantëve nga vendet e treta për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në pranga kanë rënë shtetasi azerbajxhanas M. A., 59 vjeç, dhe shtetasi turk C. D., 36 vjeç. Policia Kufitare i ndaloi ata në aksin rrugor “Shkodër-Hani i Hotit”, teksa C. D. drejtonte automjetin, ndërsa M. A., pronari i mjetit, ndodhej si pasagjer.

Sipas policisë, dy të arrestuarit po transportonin kundrejt pagesës katër shtetas afganë, të cilët dyshohet se kishin si destinacion kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror me Malin e Zi. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe automjeti që përdorej për transportin e emigrantëve. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×