
Qëndrimi jashtë fushave deri në vitin 2027 do të ketë pasoja edhe në aspektin ekonomik për Janik Sinerin. Sipas gazetës “Il Sole 24 Ore”, tenisti italian mund të humbasë plot 15 milionë euro, të llogaritura mes shpërblimeve nga turnetë dhe të ardhurave nga sponsorët. Dy të tretat e kësaj shume, rreth 10 milionë euro, përbëjnë të ardhurat që Siner ka siguruar mesatarisht gjatë dy sezoneve të fundit nga triumfet në “ATP Finals” dhe në “Six Kings Slam”. Veçanërisht turneu që zhvillohet në Arabinë Saudite ka një vlerë prej rreth 6 milionë dollarësh vetëm në shpërblime. Për rrjedhojë, mungesa e këtyre të ardhurave është një goditje e konsiderueshme financiare.
EDHE SPONSORËT NË LOJË
Një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhet me kontratat e sponsorizimit. Po sipas gazetës ekonomike italiane, sponsorët i garantojnë Sinerit rreth 37 milionë euro në vit. Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme, e cila mund të rritet edhe më tej në varësi të rezultateve sportive. Pjesa variabël e të ardhurave përbën rreth 10% të shumës fikse. Me këtë ndërprerje të aktivitetit, pjesa shtesë e të ardhurave mund të humbasë pothuajse tërësisht. Duke marrë parasysh edhe këtë faktor, kostoja totale financiare e pezullimit mund të arrijë deri në 15 milionë euro.
NDRYSHIME EDHE NË STAF
Ndërkohë, brenda stafit të Sinnerit duket se ka nisur të ndihet njëfarë pakënaqësie. Deri në janar, kur është programuar Australian Open, nuk përjashtohet mundësia e një riorganizimi të ekipit të tij. Mediat italiane kujtojnë se Marko Paniki u largua nga stafi për një arsye shumë më të vogël. Në të njëjtën kohë, mbetet ende për t’u përcaktuar edhe e ardhmja e Darren Kahill, i cili fillimisht kishte planifikuar të largohej nga ekipi i Sinerit që në fund të vitit të kaluar.
and then