
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimin e rasteve të dyshuara për shkelje ligjore nga punonjësit e Policisë së Shtetit gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Në një deklaratë për mediat, AMP bën me dije se punonjës të saj kanë qenë të pranishëm në terren gjatë protestave, ku kanë evidentuar raste konkrete. Gjithashtu, agjencia ka administruar pamje filmike të transmetuara nga mediat dhe të publikuara në rrjetet sociale, të cilat do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit për të sqaruar rrethanat dhe përcaktuar përgjegjësitë.
Sipas AMP-së, për rastet e evidentuara po vijojnë veprimet në përputhje me kompetencat ligjore, në bashkëpunim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit. Agjencia thekson se ky koordinim nuk do të cenojë pavarësinë e procesit të verifikimit dhe hetimit.
Ndërkohë, për rastet ku janë evidentuar të dhëna që mund të përmbajnë elemente të veprave penale, veprimet procedurale vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. AMP deklaron se do të vijojë monitorimin dhe verifikimin e çdo rasti që lidhet me ushtrimin e detyrës nga punonjësit e policisë, duke vënë theksin te paanshmëria, llogaridhënia, zbatimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.
and then