
Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet penale ndaj kompanisë “AlbChrome”, pas konstatimeve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) për ndotjen në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik. Në raportin e saj, AKM evidenton depozitimin prej vitesh të mbetjeve industriale në mjedis të hapur, pa masa të përshtatshme sigurie, duke ngritur shqetësime serioze për rrezikun ndaj shëndetit të banorëve dhe mjedisit. Sipas raportit, bëhet fjalë për mbetje të krijuara nga proceset industriale, të përftuara nga pluhurat e kapëseve, të cilat janë akumuluar për një periudhë të gjatë dhe janë depozituar pa respektuar standardet e nevojshme për administrimin e tyre.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit i cilëson këto mbetje si me rrezikshmëri shumë të lartë, duke evidentuar praninë e përbërësve potencialisht kancerogjenë. Konstatimet kanë ngritur shqetësime për pasojat e mundshme që kjo ndotje mund të ketë në shëndetin e komunitetit dhe në mjedisin përreth. Procedimi penal është urdhëruar nga drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, i cili ka vendosur ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme.
Grupi përbëhet nga tre prokurorë dhe dy hetues, të cilët do të administrojnë dokumentacionin dhe provat përkatëse, si dhe do të kryejnë veprimet e nevojshme për hetimin e çështjes. Ndër veprimet e para është urdhëruar këqyrja e vendit të ngjarjes, me qëllim evidentimin e situatës në terren, identifikimin e mbetjeve të depozituara dhe dokumentimin e gjendjes mjedisore.
Hetimi synon të përcaktojë mënyrën se si janë administruar dhe depozituar mbetjet, prej sa kohësh është ndjekur kjo praktikë, si dhe përgjegjësitë e mundshme të personave apo subjekteve të përfshira. Gjithashtu, pritet të vlerësohen pasojat që mund të jenë shkaktuar në mjedis dhe në shëndetin e banorëve. Çështja rikthen në vëmendje problematikën e ndotjes industriale në Elbasan, ku zona e ish-Kombinatit Metalurgjik ka qenë prej vitesh në qendër të shqetësimeve për administrimin e mbetjeve dhe sigurinë mjedisore. Hetimet e Prokurorisë pritet të hedhin dritë mbi përgjegjësitë konkrete dhe rrezikun që paraqesin mbetjet e konstatuara.
and then