Lufta brenda Ferrarit/ Hamilton dhe Leclerc, ende nuk kanë bërë paqe

Retë e zeza janë mbledhur mbi Interlagos. Parashikimet premtojnë mot të paqëndrueshëm për fundjavën e Formulës 1, një situatë që duket se pasqyron edhe gjendjen shpirtërore të pilotëve të Ferrarit.

Megjithatë, kjo është një fundjavë feste, “samba” dhe ngjyrash. Kampionati po shkon drejt fundit dhe nuk ka objektiva aq madhorë për t’u arritur sa të justifikojnë vazhdimin e tensioneve të brendshme në skuadër.

TENSIONET NË SKUADËR – Tashmë i takon shefit të ekipit, Fred Vasër, të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të shuar tensionet, pas kritikave të drejtpërdrejta që Luis Hamilton adresoi ndaj Sharl Lëklerkut të dielën, pas Çmimit të Madh të Meksikës. Gjithçka nisi nga tentativa e pilotit monegask për të parakaluar shokun e skuadrës që në xhiron e parë, një manovër që ndikoi në rrjedhën e garës.

“Është 29 vjeç tashmë, ndaj nuk mendoj se bëhet fjalë për moshën, por për mentalitetin. Ai mendon: ‘Ose fitoj unë, ose nuk fiton asnjëri prej nesh’, dhe kjo nuk duhet të jetë kështu”, deklaroi Hamilton, duke iu referuar Lëklerkut. Fjalët e britanikut nuk lënë shumë vend për interpretime lidhur me pakënaqësinë e tij për mënyrën se si menaxhohen marrëdhëniet mes pilotëve brenda Ferrarit.

Hamilton e theksoi këtë qëndrim edhe në ditët pas garës, përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale: “Të luftosh është e nevojshme, por kur një betejë përfundon duke dëmtuar skuadrën, duhet të jemi të sinqertë dhe të mësojmë nga gabimet tona”. Në këtë reagim të gjatë, Hamilton duket se kërkon të riafirmojë rolin e tij drejtues brenda skuadrës, ndërkohë që pritet të mësohet edhe përgjigjja e monegaskut ndaj deklaratave të shokut të tij të ekipit.

Megjithatë, biseda mes dy pilotëve do të zhvillohet me njëfarë vonese, pasi Lëklerk mungoi në ditët e para të qëndrimit në Brazil. Mes Çmimit të Madh të Meksikës dhe atij të Brazilit, ai u kthye në Europë për të qenë pranë bashkëshortes gjatë lindjes së fëmijës së tyre të parë. Në njërën anë të bokseve të Ferrarit, lajmi i ardhjes në jetë të anëtares më të re të familjes Lëklerk mund të sjellë pak qetësi. Por edhe për Hamiltonin kjo fundjavë në Brazil do të jetë e veçantë, pasi britaniku është gati të festojë garën e tij të 400-t në F1, pikërisht në pistën ku në vitin 2007 siguroi titullin e tij të parë botëror.

TË SHOHIM PËRPARA – Duket se Ferrari nuk ka ndërmend t’i lërë hapësirë vazhdimit të kësaj lufte të ftohtë brenda skuadrës. Në menaxhimin e marrëdhënieve mes dy pilotëve, roli i Fred Vasërit do të jetë vendimtar. Të dielën, pas garës në Meksikë, shefi i Ferrarit kishte qenë mjaft i ashpër ndaj sjelljes së pilotëve. “E kam të vështirë të pranoj mungesën e respektit ndaj të gjithë njerëzve që punojnë për ta”, ishte shprehur drejtuesi francez, duke paralajmëruar gjithashtu se në orët pas Çmimit të Madh do të ishte i nevojshëm një diskutim i drejtpërdrejtë mes palëve.

Por të mërkurën, në mesazhin tradicional me të cilin shefi i ekipit hap një fundjavë të re garash, Vasër zgjodhi të mos i referohej aspak tensioneve mes pilotëve. “Jemi të kënaqur që rikthehemi në pistë më pak se një javë pas garës në Meksikë, ku konfirmuam se po ecim në drejtimin e duhur sa i përket performancës”, thuhej në mesazhin e tij. Vasër preferoi të përqendrohej te sfidat e fundjavës, duke lënë për një bisedë më private atë që ndodhi në Meksikë.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×