Tuneli i Llogarasë/ Balluku dyshohet se ndërhyri për të favorizuar “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”, SPAK: 7.4 mld lekë dëm ekonomik nga preventivat e fryra

SPAK ka zbardhur detaje nga hetimet për tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, një prej procedurave kryesore të përfshira në dosjen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe 27 të pandehurve të tjerë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, fondi limit i tenderit ishte 18.9 miliardë lekë pa TVSH, ndërsa dyshimet lidhen me ndërhyrje në disa faza të procedurës, me qëllim favorizimin e bashkimit të operatorëve ekonomikë “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”.

Sipas SPAK, Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, megjithëse kishte deleguar formalisht kompetencat te Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, ka ndjekur dhe orientuar në mënyrë të vazhdueshme procedurën, nga përgatitja e dokumentacionit deri në shpalljen e fituesit.

Prokuroria pretendon se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave e kanë shpallur fitues bashkimin e operatorëve, pavarësisht se nuk plotësonte kriteret e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit.

Një tjetër aspekt i hetimit lidhet me përllogaritjen e fondit limit. Sipas ekspertimit teknik të administruar nga SPAK, preventivi është miratuar në kundërshtim me ligjin, me çmime të fryra, duke shkaktuar një dëm ekonomik të pretenduar prej 2 miliardë lekësh.

Ndërkohë, për preventivin e rishikuar gjatë zbatimit të kontratës, SPAK pretendon se janë miratuar volume dhe çmime të fryra, pa analizat dhe verifikimet e nevojshme teknike.

Dëmi ekonomik i evidentuar nga ekspertimi për këtë fazë llogaritet në rreth 5.47 miliardë lekë.

Në total, sipas shifrave të bëra publike nga SPAK, dëmi i pretenduar për dy procedurat e preventivave arrin në rreth 7.48 miliardë lekë.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×