
Më 26 nëntor 2026, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në seminarin e Këshillit të Përgjithshëm të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), i cili mblodhi në Frankfurt guvernatorë të bankave qendrore të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të vendeve kandidate dhe atyre potencialisht kandidate për anëtarësim.

Seminari, i hapur nga Zëvendëspresidenti i BQE-së, z. Boris Vujčić, u përqendrua në lidhjet ekonomike dhe financiare të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate me Bashkimin Evropian dhe zonën e euros, si dhe në mënyrën se si goditjet ekonomike transmetohen ndërmjet tyre. Pjesëmarrësit shkëmbyen pikëpamje mbi sfidat e përbashkëta, përfshirë goditjet në çmimet e energjisë, pasiguritë gjeopolitike dhe zhvillimet e inteligjencës artificiale.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko paraqiti përvojën e Shqipërisë dhe theksoi se lidhjet ekonomike dhe financiare me Bashkimin Evropian kanë mbështetur transformimin e ekonomisë shqiptare, rritjen e punësimit dhe përafrimin me ekonomitë evropiane. Ai vuri në dukje se afro 3/4 e eksporteve shqiptare të mallrave shkojnë drejt tregjeve të BE-së, e cila është gjithashtu burimi kryesor i investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Ai shtoi gjithashtu se grupet bankare të BE-së kanë një prani të konsiderueshme në sistemin financiar shqiptar.

Guvernatori Sejko theksoi se lidhjet ekonomike me vendet e tjera e rrisin ekspozimin ndaj goditjeve të jashtme, ndërsa ndikimi i tyre ndryshon sipas strukturës së secilës ekonomi. Duke iu referuar përvojës së Shqipërisë, ai nënvizoi se mbështetja te hidroenergjia për prodhimin vendas të energjisë elektrike zbuti ndikimin e goditjeve të fundit energjetike, ndërsa forcimi i Lekut ndihmoi në kufizimin e përçimit të inflacionit të importuar në çmimet e brendshme.

Në këtë kontekst, ai evidentoi se kuadri i shënjestrimit të inflacionit dhe regjimi i kursit të lirë të këmbimit i kanë dhënë Bankës së Shqipërisë hapësirën për të përshtatur politikën monetare me kushtet e ekonomisë vendase, në funksion të ruajtjes së objektivit të saj kryesor, atë të stabilitetit të çmimeve.


Gjatë seminarit, vëmendje e veçantë nga të gjithë pjesëmarrësit iu kushtua dhe pavarësisë së bankave qendrore. U theksua se kjo pavarësi u mundëson atyre të marrin vendime në përputhje me mandatin institucional dhe mbi bazën e analizave ekonomike, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.


Guvernatori Sejko mori pjesë gjithashtu në takimin e guvernatorëve të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate me z. Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së. Diskutimet u përqendruan te zhvillimet në sistemet e pagesave, me vëmendje të veçantë te pagesat e menjëhershme (IPSA), Zona Unike e Pagesave në Euro (SEPA), Euroja digjitale dhe nismat e Eurosistemit për shlyerjen e transaksioneve financiare me vlerë të madhe.
and then