Vrasja e ish-policit Frrok Lleshaj në Shkodër, gjykata lë në burg Vinçesk Pirolin dhe Kristjan Ymerin

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Vinçesk Pirolin dhe Kristjan Ymerin (Shkambi), të dyshuar si autorë të vrasjes së ish-policit Frrok Lleshaj, ngjarje e ndodhur më 4 gusht 2025 në fshatin Paçram të Vaut të Dejës.

Prokuroria e Shkodrës ka ngritur dyshime të forta se dy shtetasit janë ekzekutorët e ish-policit, pas hetimeve që kanë zgjatur rreth një vit. Sipas organit të akuzës, dyshimet mbështeten në analizimin e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, të dhënave të tabulateve telefonike dhe deklarimeve të administruara gjatë hetimit.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, sipas burimeve, dy të dyshuarit janë identifikuar duke lëvizur në zonën ku ndodhi vrasja, por edhe në itinerarin që dyshohet se kanë ndjekur më herët, nga Fushë-Kruja, ku dyshohet se kanë blerë armët, përmes rrugës së vjetër Lezhë-Shkodër, deri në vendin e ngjarjes.

Një tjetër element i hetimit është dëshmia e një personi që ndodhet në burg, i cili ka deklaruar se autorët e vrasjes janë Piroli dhe Ymeri. Ky person nuk ka marrë ende statusin e të penduarit të drejtësisë, por sipas prokurorisë ka pohuar se i njeh dy të dyshuarit dhe ka informacione për përfshirjen e tyre në krim.

Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, avokatët mbrojtës kanë mohuar përfshirjen e klientëve të tyre në vrasje dhe kanë kërkuar masën “Arrest në shtëpi”.

Edhe vetë të dyshuarit kanë mohuar akuzat. Vinçesk Piroli ka deklaruar se nuk është autor i vrasjes dhe se po persekutohet nga drejtësia për shkak të publikimeve mediatike që lidhen me emrin e tij. Ai ka vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmisë së personit që e akuzon, duke pretenduar se ai ka probleme të shëndetit mendor dhe se deklarimet e tij nuk mbështeten në fakte.

Ndërsa Kristjan Ymeri ka deklaruar se është person familjar dhe i qetë, duke mohuar çdo lidhje me krimin apo me vrasjen e ish-policit.

Pala mbrojtëse ka kërkuar gjithashtu kryerjen e një akti ekspertimi për gjendjen psikike të dëshmitarit që i ka identifikuar si autorë të dyshuar.

Një nga pistat e hetimit lidhet me dyshimet se vrasja mund të jetë kryer kundrejt pagesës dhe të ketë si motiv gjakmarrjen, për shkak të konflikteve të mëparshme të familjes Lleshaj. Sipas burimeve, familja është përfshirë në të paktën dy ngjarje të rënda, një konflikt me kushërinj ku mbeti një person i vrarë dhe një tjetër vrasje e ndodhur në Greqi.

Frrok Lleshaj ishte dënuar më parë me 25 vite burg. Dy vite pas daljes nga burgu, ai ishte kthyer në fshatin Paçram, ku merrej me blegtori, përpara se të ekzekutohej më 4 gusht 2025.

Piroli dhe Ymeri dyshohen për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”. vendimi i gjykatës për masën e sigurisë nuk përbën shpallje fajësie për ta.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×