AXHENDA/ Tirana kampione e Shqipërisë, festë e çmendur për titullin e 26-të

Tirana bëhet gati për festën e madhe. Kështu, bardheblutë po punojnë në stadiumin “Selman Stërmasi” për të ndërtuar skenën e koncertit dhe ceremonisë së dorëzimit të titullit të 26-të. Dihet që është e pamundur që ceremonia të zhvillohet në “Air Albania” për shkak të finales së Ligës së Konferencës, por nga ana tjetër bardheblutë kanë vendosur që festën ta zhvillojnë në stadiumin e tyre.

TIRANA TITULLI

PROGRAMI I NDESHJES – Sfida mes Tiranës dhe Kukësit që është edhe e fundit në kampionat, nis në orën 17:00. Në orën 19:00 zhvillohet ceremonia e trofeut që do të jepet nga presidenti i FSHFsë. Kupa do të jepet në fushë nga presidenti i FSHF-së. Trofeu do të jepet një herë në fushë, por edhe një herë tjetër përgjatë koncertit me të gjithë skuadrën në skenë. Gjatë ceremonisë të gjithë tifozët do të kenë mundësinë të takojnë ekipin dhe të bëjnë fotografi. Si zakonisht, të gjithë lojtarët do të parakalojnë para gjithë stadiumit, që pritet të jetë i mbushur plot.

BILETAT – Ndeshja do të jetë me bileta, ndërsa koncerti do të jetë falas. KF Tirana ka vendosur që të bllokojë vetëm tribunën A dhe B ku do të ulen familjarët e skuadrës dhe të ftuarit e tjerë, ndërsa më pas dyert do të hapen për shfaqen e madhe.

KONCERTI – Në orën 19:45, KF Tirana organizon koncertin “T’parët, T’vetmit”. Në këtë koncert marrin pjesë si të ftuar specialë, si: Artiola Toska, West Side Family, Ronela Hajati, Bruno, Klajdi Haruni, Valbona Mema, Pajtim Struga, Bujar Çiçi, Renis Gjoka, Andi Murra Dance Academy, Elai, Kidgrof, Mir Vathi, DJ Sardi, DJ Benito.

Tirana është kampione e Shqipërisë për të 26- ën herë, pasi mposhti me rezultatin 2-1 Partizanin në derbi në 7 majin e shkuar.

Një hakmarrje për atë që ndodhi tri vite më parë në “Selman Stërmasi”, kur “demat e kuq” bënë të njëjtën gjë. Bardheblutë janë zyrtarisht kampionë të Kategorisë Superiore, vetëm dy vjet pas suksesit të luftuar të skuadrës së Emanuel Egbosë, i cili hodhi themelet për skuadrën që Orges Shehi e perfeksionoi.

Në sezonin 2019-2020, Tirana nuk festoi dot me tifozët, sepse ishte pandemia që bllokoi të qenët në stadium. Xhixha dhe Seferi në majën e sulmit ishin frymëzuesit e vërtetë të kësaj skuadre e cila u mbështet edhe te kolonia e maqedonasve Najdovski e Toshevski, por edhe te Totre që bashkë me Limajn kurorëzuan një sezon model në mesfushë.

Titulli i dytë për Bekajn e Ismajlgecin dhe një trofe karriere për Muçën e Likën. Në takimet vendimtare Tirana bindi dhe theu me radhë të gjithë kundërshtarët duke nisur që nga Vllaznia e për të vazhduar me Kukësin, Laçin e Partizanin.

Kjo skuadër duket se ka hapur një cikël të gjatë suksesesh pasi edhe me largimet e verës së shkuar arriti t’i plotësonte vendet bosh duke u konfirmuar kampione e Shqipërisë me të drejta të plota.

OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×