Karlo Ançeloti duket se është me një mision të veçantë në këtë finale në Ligën e Kampioneve. Pas triumfit në La Liga dhe fitimit të Superkupës së Spanjës, trajneri i Realit mund të mbyllë në mënyrë triumfale atë që mund të rezultojë sezoni më i mirë në karrierën e tij të gjatë si trajner. Ai aspiron të fitojë në Paris Ligën e Kampioneve nën drejtimin e Realit, çka do ta bënte atë trajnerin me më shumë tituj në këtë kompeticion.
Deri më tani ka mundur të fitojë tri herë Championsin, po aq sa Zinedin Zidan (Real Madrid) si dhe ishlegjenda e Liverpulit, Bob Paisli. Por misioni i veçantë i Karlo Ançelotit ka dhe një tjetër objektiv të mundshëm. Italiani me përvojë në të gjitha ligat kryesore në Europë, i cili ka qenë i vetmi që i ka fituar të gjitha (Itali, Angli, Spanjë, Gjermani dhe Francë), përballet me prepotencën e trajnerëve gjermanë në Ligën e Kampioneve. Që nga viti 2019, viti pasi Zidan u largua nga drejtimi i Realit të Madridit, titujt në Champions janë fituar gjithnjë nga skuadra të drejtuara nga trajnerë gjermanë.
Në sezonin 2018-2019 titulli shkoi për Liverpulin e drejtuar nga Jyrgen Klop; në sezonin 2019- 2020, Bajerni i Mynihut i Hansi Flikut fitoi atë që njihet si kupa e pandemisë. Tripleta e trajnerëve gjermanë u mbyll me Tomas Tuhelin, i cili udhëhoqi Çelsin drejt titullit të dytë në Europë. Shkolla gjermane po dominon Europën, me trajnerë që kanë gjetur terrenin ideal për të vënë në jetë idetë e tyre. Ajo çfarë i lidh trajnerët gjermanë është intensiteti, forca fizike dhe presingu në fushë të plotë, një trashëgimi historike e futbollit gjerman, i cili vitet e fundit po pasuron skenarin e tij taktik. Trajnerët gjermanë janë ngjitur në elitën e futbollit europian, në një periudhë kur kombëtarja gjermane po kalon një fazë tranzitore rindërtimi.
BETEJË TAKTIKE
Përballja mes Liverpulit dhe Realit do të jetë edhe një përballje mes dy prej trajnerëve më të mirë në qarkullim. Aftësitë e tyre nuk mund të vihen në diskutim, teksa nuk ka shumë vend për faktorin surprizë nga pikëpamja taktike. Karlo Ançeloti ka gjetur stabilitet me modulin e tij 4-3-3. Por në momente të ndryshme të lojës në varësi edhe të rrethanave të takimit, Ançeloti e transformon 4-3-3 e tij në një 4-4-2, duke zbritur një nga sulmuesit e krahut në mesfushë. Por Ançeloti e ka të qartë se për Realin e tij sistemi i duhur është ai 4-3- 3, me të cilin ka dominuar të gjithë sezonin në Spanjë. Nga ana tjetër skema e Jyrgen Klopit ka ndryshuar shumë që nga ardhja e tij te Liverpuli në 2015.
Gjermani e gjeti veten me një ekip shumë më pak sulmues, shumë më pak të shpejtë dhe shumë më pak vertikal se tani. Largimet e Kutinjos e Lalanës për t’i bërë vend Manesë e Salahut në krahë kanë revolucionarizuar lojën e Liverpulit. Këto ndryshime ishin edhe baza e transformimit të skemës së nga 4-2-3-1 në 4-3-3. Përballë do të jenë dy trajnerë me të njëjtin stil loje dhe me të njëjtin gjenialitet, por që secili e aplikon sipas mënyrës së tij.
STATISTIKAT
Kur Jyrgen Klop dhe Karlo Ançeloti do të zbresin sonte në mbrëmje në Paris, kjo do të shënojë përballjen e 11-të mes tyre. Klop është përballur me Ançelotin duke drejtuar vetëm dy skuadra, Dortmundin dhe Liverpulin. Ndërsa Ançeloti nga ana e tij është përballur me Klopin nën drejtimin e Realit të Madridit, Napolit e Evertonit. Bilanci është lehtësisht në favor të italianit të Realit të Madridit. Karlo Ançeloti ka fituar 4 nga dhjetë takimet ndaj Jyrgen Klopit, teksa gjermani ka fituar 3 takime. Tri takime të tjera mes tyre janë ndarë në barazim. Edhe shifrat e bëjnë më interesante finalen e Parisit!
LEDJO SEFERKOLLI-Arena e Lajmit

Loading…