
Ilda Zhulali, këshilltarja e Presidentit të Republikës për integrimin europian ka qenë sot në krahë të kreut të PD-së Sali Berisha në tryezën kushtuar pikërisht kësaj teme: “Të rikthejmë Shqipërinë në rrugën europiane”.
Ajo foli për Samitin e BE-së në Bruksel dhe qëndrimin e qeverisë shqiptare në politikën e jashtme, si dhe rreziqet në rajon.
Sipas saj, emërimi i 4 të dërguar specialë në rajon nuk është rastësore dhe se kjo vjen sepse ndihet dhe ka informacione të besueshme që rajoni ynë është në rrezik. Zhulali theksoi se nuk ka pasur nevojë që ta shpikim ne, gishti është vendosur nga vetë NATO, nga vetë vendet e BE-së, për shkak të sjelljeve të një vendi si Serbia.
“Kam 16 vite që ia kam kushtuar jetën time profesionale integrimit europian. Më herët kam punuar pranë drejtorisë rajonale në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kështu që pjesën e bashkëpunimit rajonal dhe rëndësinë që ka pasur kjo për integrimin europian, unë i kam parë të ndërlidhura me njëra-tjetrën për shkak të detyrës.
Jam plotësisht dakord me ato që thatë ju dr. Berisha, për faktin që ne ndodhemi në një moment historik për Shqipërinë, për rajonin dhe për Europën. Këto ditë do të merren vendime të rëndësishme që lidhen me sigurinë europiane, me sigurinë e Europës gjeografike dhe Europës politike; vendime të rëndësishme në kuadër të Bashkimit Europian, por edhe të NATO-s. Janë dy samite që janë njëri-pas tjetrit që do të shqyrtojnë çështje të rëndësishme që përfshijnë jo vetëm Ukrainën dhe statusin e vendit kandidat që pritet t’i jepet këtij vendi në luftë, por pritet t’i jepet statusi Moldavisë e cila nuk është në luftë, por ndihet e kërcënuar nga lufta. Në axhendën e zgjerimit të BE-së ka qenë dhe Ballkani Perëndimor, cilat vende? Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut që prisnin negociatat e anëtarësimit, por ishte dhe Kosova që priste liberalizimin e vizave, por ishte dhe Bosnjë Hercegovina, e cila ka një vëmendje të shtuar në rajon, për shkak të pasigurisë që ndihet në ajër dhe në terren në Bosnjë, nga rreziqet përmes aktorëve të tretë për të shkaktuar skenarë të rinj destabiliteti dhe për të cilat ne kemi qëndruar krejtësisht indiferentë”, tha ajo.
Sipas saj, për përgatitjen e këtij samiti ku dihet që Shqipëria do ishte e ftuar që të merrte pjesë, unë do kisha pritur që Shqipëria të rreshtohej jo vetëm me Maqedoninë e Veriut, por edhe me Kosovën që ta shtynim axhendën tonë të integrimit sepse avancimi i Shqipërisë dhe i Kosovës ka rëndësi jetike për ne.
“Edhe sepse për faktin gjatë kësaj kohe në rajonin tonë ka katër të dërguar specialë që janë emëruar, një nga SHBA-të, një nga Gjermania, një nga Mbretëria e Bashkuar që është larguar nga BE-ja, po nuk e ka humbur vëmendjen ndaj rajonit tonë si dhe përfaqësuesi i posaçëm i vetë BE-së që merret me dialogun Serbi-Kosovë. A është rastësore emërimi i katër të dërguarve të posaçëm për rajonin tonë? Nuk është rastësore. Kjo vjen sepse ndihet dhe ka informacione të besueshme që rajoni ynë është në rrezik. Cilët janë aktorët që përbëjnë rrezikun në rajon? A është Shqipëria? Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe është e vendosur qartësisht në këtë rrugë, është edhe vend kandidat për në BE që pret çeljen e negociatave. Maqedonia është një vend i ri anëtar i NATO-s, Mali i Zi është një vend tjetër anëtar i NATO-s. Atëherë nga çfarë vjen ky rrezik në rajonin tonë? Nuk ka pasur nevojë që ta shpikim ne, gishti është vendosur nga vetë NATO, nga vetë vendet e BE-së, për shkak të sjelljeve të një vendi si Serbia dhe influencës që ky vend ka pasur tek aktorë politikë në Bosnje, Mal të Zi dhe kështu me radhë. Duke i përfshirë edhe këto ngjyrat fetare që janë shumë të dëmshme për rajonin tonë”, tha Zhulali.
Ajo deklaroi se në këtë konfiguracion rreziqesh për rajonin tonë ne gjithashtu shikojmë që Serbia jo vetëm nuk e ka ndryshua politikën tradicionale me Rusinë, jo vetëm që nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, por edhe po armatoset. “Po armatoset nga Kina, nga Rusia, po armatoset në mënyrë shproporcionale në krahasim me vendet e rajonit dhe po armatoset në mënyrë të paprovokuar dhe të pajustifikuar sepse nuk i kanoset asnjë rrezik nga asnjë nga vendet që e rrethojnë. Të gjitha këto janë sinjalet që kërkonin një vëmendje të posaçme nga Shqipëria për të ndjekur një tjetër politikë të jashtme, por edhe të brendshme njëkohësisht në raport me procesin tonë të integrimit. ne këtë nuk e kemi parë, por mendoj që edhe opozita dhe aktorë të tjerë të shoqërisë duhet të kishin bërë më shumë për të ushtruar një presion qoftë mbi qeverinë, qoftë mbi aktorë të tjerë në BE, të cilët ndonjëherë duan që t’i ruhen kokëçarjeve për shkak të çështjeve më akute të sigurisë që kanë tani për tani. Unë besoj që thirrja që ju bëtë për një protestë është një nga hapat, por duhet të vijojë dhe me mekanizma të tjerë, që opozita nuk i ka shfrytëzuar mjaftueshëm dhe gjatë ditëve të kaluara”, u shpreh ajo.