
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka është shprehur sot se një draft për Reformën Zgjedhore ka ardhur pas një konsulte mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në Dhërmi, një ditë para Kuvendit Kombëtar të PD.
Ndërkohë, “BalkanWeb” ka siguruar reagimin e deputetit Enkelejd Alibeaj në grupin e “whatsapp” të deputetëve të PD.
Alibeaj i ka cilësuar këto deklarata si të pa vërteta. Ai thotë se kjo është një sajesë e ulët dhe e pa precedentë, ndërsa shton se tentohet të vazhdohet me axhendën e përçarjes.
Reagimi i Alibeajt:
Të nderuar kolegë,
Nga zyra e shtypit jam informuar për një shpifje të thënë në një emision televiziv nga deputeti Flamur Noka, drejtuar ndaj meje dhe kolegëve Tabaku dhe Bardhi. Dua të informoj secilin prej jush, se kjo është një sajesë e ulët, e padenjë për një demokrat dhe e paprecedentë. Unë dhe asnjë koleg në PD, nuk kemi asnjë lidhje me dokumentin e gënjeshtër që konsiderohet “sekret”, por që është në fakt në dorën e atij që e ka sajuar, për të përbaltur kolegët dhe për të trajtuar si budallenj demokratët. Këto sajesa janë të denja për sigurimin e shtetit, e mesa duket vazhdohet me axhendën e përçarjes, por s’kanë qenë dhe as mund të jenë metoda funksionimi në PD.
Akte të tilla, sajesa të tilla duhet të turpërojnë cilindo që i sajon. Ndjeva domosdoshmërinë që indinjatën time mbi këtë sajesë ta ndaj me secilin koleg të Grupit Parlamentar. Ndjesë për shqetësimin në këtë ditë të shenjtë për besimtarët myslimanë, por që mendjet e liga nuk të lenë të qetë as në një ditë të shenjtë. Ju uroj një natë të qetë.
Arena e Lajmit