EKSKLUZIVE/ “Trofeu dhuratë për tifozët”, sulmuesi i Vllaznisë: Rinovova për 1 vit, pas Kupave duam titullin!

Ardit Hoxhaj shënoi golin e parë në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, e fituar në shtesë me shifrat 2-1. Sulmuesi arrin këtë sukses për të dytin vit radhazi dhe në përfundim të ndeshjes ai shprehet për “Panorama Sport” se Vllaznia e ka merituar.

ARDIT HOXHAJ 1

Hoxhaj tregon emocionet e ndeshjes dhe gjithashtu e sheh këtë trofe edhe si një dhuratë për tifozët e qytetit të Shkodrës që sipas tij jetojnë çdo moment me futbollin.

Ai shprehet se pas fitimit të dy Kupave të Shqipërisë, atë të sezonit të kaluar ndaj Skënderbeut dhe këtë ndaj Laçit, synimi i radhës dhe “qershia mbi tortë” do të ishte fitimi i titullit kampion.

FITIMI I KUPËS – “Emocionet ishin të papara në këtë ndeshje. Nuk prisja që të isha titullar, por në mundësinë e parë që do më jepej, doja që të bëja sa më mirë për Vllazninë.

Ishte një shans i madh për mua që të shënoja gol. Vllaznia ka arritur këtu me shumë meritë. Sa i përket këtij sezoni, kemi merituar edhe më shumë, edhe Europën nga kampionati, por ishte një gjë e madhe për mua të shënoja në këtë finale.

Emocionet ishin fantastike. Kërkova që të bëj më të mirën dhe për më tepër që ky është suksesi i dytë radhazi me këtë ekip”, shprehet Ardit Hoxhaj që zbulon edhe një lajm ekskluziv për gazetën:

“Po ju them edhe një lajm që kam rinovuar edhe një vit me këtë fanellë edhe sezonin tjetër do të jem pjesë e Vllaznisë”.

ËNDRRA TITULL – “Pas dy trofeve radhazi me Kupën e Shqipërisë, shpresoj që ‘qershia mbi tortë’ sezonin që vjen të jetë titulli kampion. Unë do të jem këtu edhe sezonin tjetër dhe drejtuesit më kanë premtuar që do të jem në qendër të projektit për ta shpallur Vllazninë kampione. Do të jap maksimumin që ta arrijmë një gjë të tillë”.

DHURATË PËR TIFOZËT – “Jam i kënaqur që ua dhuruam këtë Kupë sërish tifozëve sepse ato janë arma më e fortë që Vllaznia ka. Është një qytet që jeton me futbollin, që e njeh shumë mirë dhe e dashuron atë dhe për më tepër është një qytet i cili meriton shumë edhe më shumë nga lojtarët që mbajnë veshur atë fanellë”, përfundoi prononcimin e tij Ardit Hoxhaj.

ADMIR URUÇI – PANORAMAPORT.AL


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×