
Vrasja e 63-vjeçares Fatime Suli, e ndodhur në 20 janar të këtij viti në fshatin Kozare në Kuçovë, tashmë prej disa ditësh ka mbërritur për gjykim në Gjykatën e Shkallës së parë Berat, pas përfundimit të hetimeve të Prokurorisë së Beratit. Por, familja e të ndjerës nuk është dakord me përfundimin e hetimeve, pasi pretendojnë se autori Fetah Mara nuk e ka kryer i vetëm krimin. Sipas tyre ai ka pasur edhe një bashkëpunëtor. Avokati i familjarëve të viktimës Fatime Suli, Ramiz Oboni deklaron se në seancën paraprake që do të zhvillohet pas disa ditësh ata do të kërkojnë që çështja të rikthehet përsëri në Prokurorinë e Rrethit Berat për hetime të mëtejshme, pasi familjarët kërkojnë marrjen si të akuzuar për bashkëpunim në vrasje edhe të një shtetasi tjetër.
Ramiz Oboni deklaron se kjo çështje nuk mund të shkojë për gjykim, për sa kohë që familjarët deklarojnë se me Fetah Marën natën e vrasjes ka qenë edhe një shtetas tjetër, i quajtur Izet, për të cilin ata deklarojnë se është bashkëpunëtor me vrasësin Mara. Avokati Oboni deklaron se organi i prokurorisë duhet të kryejë një ballafaqim mes autorit Fetah Mara që e ka pranuar vrasjen dhe Izetit, shtetasit që e dëmtuara akuzuese e cilëson si bashkëpunëtor me Fatahun në vrasje dhe që është komshi me familjen e viktimës Fatime Suli.
Avokati Ramiz Oboni deklaron se pretendimet e familjes së viktimës Fatime Suli mbështeten jo vetëm në deklarimet e viktimës për një muaj rresht para vrasjes, kur u ka thënë familjarëve që Izeti i shkonte çdo ditë në arë dhe e ngacmonte seksualisht, por edhe në përgjimet e kryera në polici, tashmë të transkriptuara dhe të përfshira në dosjen hetimore, kur Izeti i shpreh qartë Fetah Marës “Mos më merr në qafë mua, merre ti këtë përsipër”. Sipas avokatit Oboni, nqs Gjykata e Beratit në seancën paraprake nuk do ta pranojë kërkesën për rikthimin e çështjes në Prokurori për hetime të mëtejshme, ata do të kërkojnë thirrjen në gjyq si dëshmitar të Izetit por edhe të një shtetasi të tretë me emrin Luli, që familjarët e cilësojnë si “dëshmitar okular” në ngjarjen e rëndë. Avokati Oboni pohon se autori i vrasjes Fetah Mara ka qenë shumë kontradiktor në deklaratat që ka dhënë në polici pas vrasjes, ku fillimisht ka deklaruar prezencën e Izetit në vendngjarje dhe më pas ka deklaruar se ka qenë i vetëm kur e ka kryer vrasjen.
NGJARJA
63-vjeçarja Fatime Suli u vra mbrëmjen e 20 Janarit 2022 në tokën e saj në fshatin Kozare në Kuçovë. Ajo u gjet e vdekur në një kanal, gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe e rrozga. Familjarët e saj e kishin kërkuar prej disa orësh dhe pasi nuk e kishin gjetur kishin njoftuar për ndihmë policinë. Vetëm pas rreth 1-orë kërkimesh, gruaja 63-vjeçe u gjet në një kanal, rreth 1 km larg banesës saj. Vrasësi i saj Fetah Marra e ka pranuar tashmë krimin dhe ka deklaruar se viktima i kishte 60 mijë lekë borxh nga mbarështrimi i tufës së bagëtive. Në dëshminë e tij, autori Marra ka thënë se kishte shkuar në arën e Fatimes për të kërkuar borxhin dhe se ishte i pirë kur e ka kapur për fyti dhe i ka vdekur ndër duar. Viktima Fatime Suli kishte probleme të shëndetit mendor dhe trajtimi i saj me ilaçe ka vazhduar çdo ditë, deri në ditën që gjeti vdekjen.