Ishte 14 gushti i 2001-shit dhe atëherë një djalë i ndrojtur 19- vjeçar do të heshte “Bernabeun” edhe pse Real Madrid-Inter ishte thjesht një miqësore vere. Një perlë nga goditja e dënimit në minutat shtesë do të ishte shkëndija e parë e Adrianos, atëherë i pashpallur ende “Perandor”, karriera e të cilit do të prekte lavdinë.
Në një intervistë për “Dazn”, braziliani ka rrëfyer jo vetëm kujtimet e asaj dite që e prezantoi me futbollin europian kur sapo kishte mbërritur nga Flamengo, por edhe një pjesë të rrugëtimit të tij të deritanishëm si brenda dhe jashtë fushe, përfshirë miqësitë që i fali futbolli.
Ju kujtohet goli i parë me Interin, në “Bernabeu”?
Ishte ndeshja ime e parë me fanellën e Interit. Unë isha 19 vjeç, ishte goditja e dënimit kundër Real Madridit dhe unë atë javë isha praktikuar në stërvitje me Sedorfin që e dinte se i gjuaja fort. Ishte Materaci që iu drejtua topit për ta goditur, por Klarens e ndali duke i thënë: “Kjo është e Adrit”. Besimi që tregoi tek unë ishte shumë i rëndësishëm dhe për fat shënova një gol të bukur.
Sa e ka ndryshuar jetën tuaj ai gol?
Kur shënova nuk e besoja, isha i vogël dhe ishte një ëndërr për mua të luaja për Interin dhe të isha pjesë e atij ekipi me aq lojtarë të mëdhenj. Isha shumë me fat që e kisha atë mundësi.
Sa personalitet duhet për të luajtur kështu në një stadium si ai?
Dëshira për të treguar atë që mund të bëja ishte e madhe dhe besoj se nga kjo më buroi e gjitha. Kisha shumë besim për të ardhmen.
Nuk mungon një foto e juaja me ikona si Ronaldo e Sedorf.
Siç thashë, të kishe kampionë të tillë pranë ka qenë një emocion i pabesueshëm. Nuk ka fjalë për ta përshkruar atë moment pranë dy kampionëve dhe fenomeneve të tilla. Edhe tani kur i shoh ato foto më duket e çuditshme dhe i përjetoj të njëjtat emocione.
E keni dëgjuar ndonjëherë krahasimin me Ronaldon?
Jo, nuk mund të bëhet asnjë krahasim, ai është fenomen. Unë kam treguar që mund të bëhesha, por nuk mund të bëhet asnjë krahasim. Ka qenë ai që më ndihmonte të shkoja në “Pinetina” sepse për pak kohë jetoja në shtëpinë e tij. Mbaj mend që ai më thoshte gjithmonë se nëse doja të shkoja larg, duhej të luftoja dhe të mendoja gjithmonë për të ndihmuar familjen time. Ka qenë si një vëlla i madh për mua.
Keni shënuar një supergol edhe ndaj Udinezes.
Disa gola ende nuk i besoj dhe i kuptoj si i kam realizuar. Në atë moment isha mirë dhe bëja gjëra që më vinin automatikisht. Kur ndihesh mirë në kokën tënde dhe fizikisht arrin të bësh gjëra të pabesueshme, sepse vijnë natyrshëm. Ndoshta goli im më i bukur.
A keni parë ndonjëherë një lojtar si ju? Plus që asnjë ish-shok juaji nuk ka folur keq për ju ndonjëherë.
Nuk di çfarë të them. Të gjithë lojtarët që kanë luajtur me mua thonë se duan të më vrasin sepse duhet të kisha bërë më shumë dhe gjithashtu e di se mund të kisha bërë më shumë, por në jetën time kam pasur gjëra që nuk më kanë lejuar. I kam dëgjuar të gjithë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Duhet të dëgjojmë të tjerët sepse gjithmonë ka diçka për të mësuar: duhet të jemi të përulur për t’u përmirësuar.
Një gol në derbi dhe “San Siro” që shpërthen.
Si mund ta përshkruaj? Është si Argjentina kundër Brazilit. Është një përgjegjësi e madhe, ka gjithçka në atë ndeshje. Më vjen të qaj duke menduar për këtë. Vetëm ata që e kanë jetuar derbin më kuptojnë.
Ekzistonte ideja është që u mjaftonte t’u jepje topin për të shënuar, pavarësisht taktikave?
Kur isha mirë ishte e vështirë për të më kapur. Materaci, që e kam si vëlla, kur nuk po luaja në mënyrën time më të mirë dhe më pas bëja një lojë të mrekullueshme, gjithmonë thoshte “perandori u kthye”. Gjëja e rëndësishme për mua është se kur isha në fushë kam bërë gjithmonë gjithçka për ekipin tim. Kur kam kaluar momente të vështira, Interi ishte gjithmonë pranë meje dhe i falënderoj të gjithë, ashtu si edhe tifozët të cilët më kanë shfaqur gjithmonë dashurinë e tyre. Në Itali ndihem si në shtëpinë time të dytë, ndjej se më duan.
Arena e Lajmit

Loading…