EMRAT/ Kapen 80 mijë litra naftë kontrabandë në Durrës, pranga kapitenit dhe mekanikut të peshkarexhës, si e kishin përshtatur depozitën brenda anijes

777

Policia e Durrësit ka sekuestruar ditën e sotme 80 mijë litra naftë në një peshkarexhë, ndërsa në pranga kanë rënë kapiteni i saj Flamur Aliu dhe mekaniku Nuri Xheka, ndërsa një tjetër person është shpallur në kërkim, i cili ishte administrator i anijes.

Sipas policisë, ata kishin përshtatur një depozitë në peshkarexhë, për mbajtjen e rreth 80.000 litrave naftë të kontrabanduar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të veprimeve hetimore, si dhe si rezultat i punës profesionale policore, në kuadër të operacionit “Diesel”, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe vënien në pranga të shtetasve:

– F. A., 65 vjeç, banues në Durrës, kapiteni i peshkarëxhës dhe N. Xh., 53 vjeç, banues në Durrës, mekaniku i peshkarexhës.

Nga veprimet hetimore të kryera, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, Policinë Kufitare, Degën Doganore Durrës, Antikontrabandën Detare dhe FSPD Port Durrës, rezultoi se këta 2 shtetas, së bashku me shtetasin në kërkim A. M. (administrator i peshkarexhës), kishin dalë në det, pa njoftuar kapitenerinë dhe Policinë Kufitare, me qëllim marrjen e një sasie prej rreth 80.000 litrash naftë dhe futjen e saj kontrabandë.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë gjetën të përshtatur një depozitë në peshkarexhën e këtyre shtetasve, për mbajtjen e naftës së kontrabanduar. Peshkarexha, së bashku me sasinë e naftës, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. M., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×