
Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Xiaoqing Yu ka mbërritur sot në Berat, për të inspektuar investimet e përfunduara dhe kantieret e hapura të ndërtimit, që janë financuar në qytet nga Banka Botërore.
Në vizitën e saj të parë në Shqipëri, Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin, Xiaoqing Yu ka ndaluar në qytetin e Beratit, për tu njohur nga afër me investimet e përfunduara dhe ato që janë në ndërtim e sipër në qytetin muze, investime që po realizohen me fonde të Bankës Botërore.
E shoqëruar nga Drejtori i Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas dhe drejtues të pushtetit vendor Shai Sheng ka vizituar fillimisht disa nga sitet më të rëndësishme historike e kulturore në qytet si dhe ka inspektuar më pas disa nga kantieret e hapura të investimeve që financohen prej Bankës Botërore.
Ajo është ndalur në përfundim të vizitës së saj përgjatë lumit Osum, ku falë investimit të Bankës Botërore po realizohet Projekti i Zhvillimit të Integruar Urban dhe Turizmit, një investim ky me vlerë 407 milion lekë (të reja), ku përfshihen pedonalja mbi lum, parqe e sheshe pushimi, ndriçim e rehabilitim i plotë i lagjes Goricë.
Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin, Shai Sheng), ka folur rreth vizitës së saj të parë në qytet dhe rreth investimeve që inspektoi nga afër.
“Kjo është vizita ime e parë në Shqipëri dhe jam e lumtur ta filloj me Beratin, një nga qytetet më të pasura me trashëgimi kulturore, një qytet i veçante dhe shumë i bukur. Pata mundësinë të diskutoj me autoritetet dhe kryetarin e bashkisë mbi nevojat për zhvillimin e qytetit, përpjekjet që janë bërë për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët si dhe për bashkëpunimin tonë.
Pata mundësinë ta shoh nga afër rrugën që të çon në kala si dhe punën që po bëhet për të restauruar lagjet historike dhe sheshet publike. Jam shumë e lumtur që kemi mundur të kontribuojmë në zhvillimin e turizmit në Berat. Turizmi është shumë i rëndësishëm për vendin, me një kontribut direkt prej 10 përqind të PBB (prodhimi i brendshëm bruto), por që sjell edhe kontribute të tjera në të ardhura, punësim dhe mirëqenie.
Ndjehemi krenarë të jemi pjesë e këtyre përpjekjeve. Shpresoj që në të ardhmen të ketë edhe më shumë investime nga qeveria, pushteti vendor, sektori privat dhe donatorë të ndryshëm, për të ndërtuar një sektor turizmi të qëndrueshëm dhe dinamik në këtë qytet”, ka thënë Shai Sheng.
Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo, ka theksuar rëndësinë e kësaj vizite për qytetin dhe bashkëpunimet e mëtejshme me investime nga Banka Botërore në sektorë të ndryshëm.
“Për ne kjo është një vizitë e rëndësishme, që konfirmon edhe një herë mbështetjen e deritanishme por edhe për të diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen, përsa i përket zhvillimit të mëtejshëm të qytetit, jo vetëm në sektorin e turizmit por edhe në sektorë të tjerë.
Banka Botërore ka qenë një nga partnerët tanë kryesor në qytet, siç e shikoni i gjithë investimi që po realizohet në lagjen Goricë, është falë bashkëpunimit me Bankën Botërore, po ashtu edhe investimi që përfundoi në lagjen muzeale Mangalem dhe në rrugën e kalasë së qytetit, ndërkohë që falë bashkëpunimit me Bankën Botërore do të fillojnë edhe dy investime të tjera në qytet që janë: aksi rrugor Gjykatë-Axhensi dhe investimi në fasada, ndriçim dhe trotuare në qytet”, ka thënë Demo.
Arena e Lajmit