Leao prezanton Sançes, por ka ethe për mbrojtjen/ Manovrat e Milanit në merkato

Jasin Adli është i vetmi lojtar i sigurt për sezonin e ri të Milanit, por ka edhe të tjerë që janë shumë pranë zyrtarizimit. Një prej tyre është pa dyshim Divok Origi të cilit i kanë mbetur vetëm vizita mjekësore përpara se të deklarohet kuqezi. Rikthimi i Tomazo Pobegës është një tjetër siguri, teksa prurja prestigjioze në mesfushë duhet të jetë Renato Sançes.

portugal-training-session-and-press-conference-uefa-euro-2020-group-f-3-770x510

Prej javësh përflitet një akord mes lojtarit dhe “Djallit” mbi bazën e 3 milionë eurove në sezon, ndërkohë që Lila do të arkëtojë rreth 20 milionë euro. Një konfirmim në këtë aspekt, ka ardhur nga “Instagram”-i. Ka mjaftuar një koment i Rafael Leaos me dy topa kuqezinj nën një postim të Sançesit për të shndërruar në lajm që shpejt u bë viral. Praktikisht sulmuesi i jep mirëseardhje shokut të kombëtares.

FANTAZIA – Treshja pas pykës në 4-2-3-1-shin e Piolit është edhe zona ku Maldini do të fokusohet më së shumti. Përveç Leaos, të gjithë të tjerët janë në diskutim. Mesias do të blihet, por nuk cilësohet titullar, ashtu si edhe Brahim Diazi që do të vuajë për hapësira. Salmakers mund të përdoret në ndonjë ujdi merkatoje, ndaj kuqezinjtë po shqyrtojnë alternativa. Nikolo Zaniolo dhe 50 milionët e pretenduar nga Roma kane “bllokuar” disi përpjekjet e Paolo Maldinit, që gjithsesi, nuk ka hequr dorë siç e dëshmojnë edhe orvatjet e bëra në javët e fundit me oferta monetare dhe karton të lojtarëve si Rebiçi.

Noa Lang thuhet se është bllokuar për 22 milionë euro dhe pritet vetëm lëvrimi i fondit të merkatos për ta rrëmbyer nga Bryzhi. Anësori që luan në dy korsitë është vetëm njëri nga dy xhevahiret e të njëjtit klub. Tjetri është Sharl de Ketelere. 21-vjeçari është praktikisht “fiksimi” i drejtuesve kuqezinj të cilët po mundohen ta shkëpusin nga Belgjika për diçka më pak se 40 milionët e pretenduar nga kampionët në fuqi. Kristofer Nkunku dhe Antoni i Ajaksit janë synime disi më irreale, por vijojnë të monitorohen nga kuqezinjtë.

DY REPARTE – Divok Origi nuk duhet të jetë prurja e vetme në vijën e parë, megjithatë vështirë që të sigurohet ndonjë si Xhanluka Skamaka që vlerësohet 40 milionë euro. Më të mundura “pistat” ekonomike të tipit Arnautoviç që duhet të plotësojë repartin me Zhirunë, ndërkohë që Ibra pritet të rikthehet në janar. Në anën tjetër, nevojiten mbrojtës.

Milan

Kjaer nuk jep garanci fizike dhe Kalulu me Tomorin nuk mund të përballojnë 50 ndeshje. Sven Botman është në krye të listës së Maldinit, por nën vëzhgim mbahet edhe Bremer i Torinos. Për holandezin bën presion Njukasëlli, ndërkohë që braziliani mund t’i japë jetë një derbi merkatoje me Interin. Pablo Mari është gjithashtu një profil interesante për koston e ulët, por në orët e fundit ai përflitet gjithmonë e më afër Lacios ku shumë shpejt duhet të përfundojë dhe Alesio Romanjoli.

Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×