Nejmar nuk ka ndër mend të lëvizë nga PSG dhe nuk e shqetëson fakti se kjo mund të zhytë në telashe financiare parisienët. Sulmuesi brazilian, për të cilin PSG bëri luftë për ta mbajtur dy vite më parë duke mos e lejuar të kthehej në Spanjë, tani shihet si peshë e tepërt në skuadër më shumë për faktin se rroga e tij rëndon në mënyrë të ndjeshme arkat e parisienëve.
Këta të fundit regjistrojnë më shumë se 200 milionë euro humbje në çdo vit duke detyruar edhe UEFA-n që të kërkojë shpjegime zyrtarisht për shifrat me të cilat parisienët justifikojnë këto humbje kolosale. Nevoja për të shitur lojtarë dhe për të ulur masën e rrogave është dukshme dhe mes të gjithë yjeve, sakrifikimi i Nejmar duket si rruga më e lehtë e mundshme për të zgjidhur një pjesë të telasheve meqë rroga e tij rëndon me 50 milionë euro bruto në sezon financat e PSG-së.
Por futbollisti i ka bërë të qartë klubit që nuk ka ndër mend të lëvizë, edhe kur parisienët i kanë kërkuar atij që të shprehë gatishmërinë për t’u transferuar në një skuadër tjetër. Nejmar ka bërë të ditur se dëshiron të respektojë me çdo kusht kontratën e tij, duke vendosur PSG në një situatë shumë delikate, pasi tashmë duhet të gjejë zgjidhje të tjera për të justifikuar shpenzimet marramendëse për të, Mesin dhe Mbape.
Arena e Lajmit

Loading…