
Nga 1 Tetori çdo abonent familjar që harxhon mbi 800 KwH orë energji në muaj do të faturohet me 42 lekë për çdo kilovat orë të harxhuar mbi këtë sasi. Në kushtet kur Enti Rregullator i Energjisë mori vendimin për këtë çmim të ri që do të aplikohet në periudhën Tetor-Dhjetor 2022 qytetarët thonë se do të kursejnë duke mos përdorur elektroshtëpiake.
Madje pensionistët thonë se kanë kursyer gjithmonë edhe para rritjes se çmimit.
“Sa të duash, sa i paguam dritat 80 mijë lekë. Siç e marr invaliditetin atje e le. Me gaz paguaj. Të lahemi me ujë të ftohtë fillon dimri”.
“Do kursejmë, për t’u ngrohur do shikojmë tani që do shtrenjtohet. Deri dje jemi ngrohur me korrent tani se di”
“Do ta perballojmë si gjithë të tjerët. Do përdorim më shumë gaz dhe më pak korrent. Tani s’kemi nevojë të ngrohemi se është koha shumë e mirë. Do kursejmë çfarë do bëjmë”.
“Do ta përballojmë se e gjithë bota kështu është, por ne do rezervohemi pak te elektroshtëpiaket. Do gatuajmë për 2-3 ditë”.
“S’do ta kaloj 800 kwh unë pensioniste, s’ia dal dot. Do të kursej nuk do haj 3 herë në ditë, do ha 2 herë do ta heq një vakt”.
“Do kursejmë patjetër, dritat siç i kemi mbajtur ndezur do t’i fikim. Lavatriçen 2 herë në javë do ta vendosim 1 herë”.
“Do kursejmë se ndryshe nuk ia dalim dot. Gatuajmë dhe me gaz dhe me korrent”.
“Harxhojmë 150 mijë lekë sa për të gjithë lagjen”.
“Ne do mundohemi të kursejmë brenda 800, por se dimë a do arrijmë dot apo jo. Gatuajmë me korrent. Gjithmonë kemi kursyer dhe me çmimin që është se të ardhurat tona aq janë.”
“Pensionistë jemi ne kështu që do vazhdojmë me kursimin”
“Shqiptarët gjithmonë kanë kursyer. Na thonë mbusheni lavatriçen plot. Ashtu e kemi bërë gjithmonë”.
Çmimi i rritur i energjisë elektrike për abonentët familjarë që do të harxhojnë mbi 800 kwh do të vijë në faturën e muajit nëntor. Në analizat zyrtare të qeverisë parashikohet që janë 40 mijë familje të cilat konsumoni mbi 800 kwh, shifër që mund të rritet gjatë muajve të dimrit, kur energjia përdoret për ngrohje.
OSHEE parashikon që nga kjo lëvizje të mbledhë rreth 1.8 mld lekë, që më pas do të përdoren nga kompanitë energjetike për të blerë energji në tregjet ndërkombëtare.