
Vdekja e biznesmenit 46-vjeçar shqiptar, Xhani Topalli që jetonte në Rodos u shkaktua nga dy goditje të forta në kokë. Kështu thotë ekspertiza mjeko-ligjore e bërë nga autoritetet greke. Babai i tre fëmijëve u gjet i pajetë 3 ditë më parë në zonën mes Psinthos dhe Afandos.
Pas vrasjes së biznesmenit shqiptar në Rodos, Xhani Topalli ka ardhur reagimi nga familjarët e tij, ku ka folur për mediat daja i tij Meçan Hoxha.
Në një intervistë për gazetaren e ‘News24’ dhe BalkanWeb Lorena Kodra daja i viktimës ka lëshuar akuza në drejtim të grekut, për të cilin vite më parë viktima kishte punuar.
Hoxha rrëfeu ngjarjen i tronditur dhe tregoi gjithë historinë që qëndron pas vrasjes së Topallit.
“Është një situatë shumë e dhimbshme, e papritur, befasuese dhe e pamerituar. U njohëm me situatën para dy javësh kur në fillim na thanë që Genti ka humbur pa adresë dhe pa arsye. Shteti grek u vu në lëvizje për gjetjen e Gentit dhe e gjeti bashkë me kriminelin. Genti kishte 23 vite në Rodos së bashku me familjen e tij. Bëhet fjalë për një pronar të një hoteli që ka kryer të gjitha punimet me firmën e Gentit ky i fundit kishte biznes ndërtimi. Ai nuk e ka likuiduar prej 6 vitesh Gentin dhe sa herë që vinte puna për t’u likuiduar ai ka nxjerrë diçka tjetër.
Duke qenë se nuk ishte korrekt me pagesat e çuan çështjen në gjyq dhe u vendos që jo vetëm të paguhen detyrimet por të konfiskohet hoteli për 4 vite në interes të Gentit. Genti kishte shumë virtyte dhe duke e ditur këtë gjë ai hilamani i Greqisë e shfrytëzoi, kur e humbi gjyqin që duhet t’ia jepte Gentit hotelin, ai iu lut dhe Genti ia la. Ai punoi por u mbush kupa dhe sivjet i duheshin me patjetër lekët se punimet i kishte me lekë borxh, do likuidonte punëtorët e vetë dhe i kërkoi lekët, ai i premtoi që do ia jepte dhe një ditë nga këto e ftoi për t’ia dhënë ndërkohë përgatiti kurthin për ta hequr qafe që mos kishte detyrime ndaj tij.
Ai të gjitha gjërat i ka patur të parapërgatitura derisa ta ftonte për të marrë lekët. Genti e besoi dhe shkoi atje ku nuk mori lekët, por humbi jetën e tij.
Padiskutim përderisa atij i janë gjetur të gjitha mjetet, litari nuk gjendet rastësisht. Ai është goditur tinëz, nuk e mbanin dot dy veta,nuk mund ta zinin peng vetëm sa mund ta vrisnin. Policia greke është në vazhdim të hetimeve, është treguar shumë korrekte. Ata e zbuluan vrasësin. Ai dhunoi dhe kufomën e tij, e hodhi në një pyll ku nuk mund të gjendej. Gentiani ishte modeli i familjes, djalit, shokut, i ka respektuar të gjitha detyrimet”, tha daja i viktimës.
Arena e Lajmit