
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk do të konkurrojnë në Eurovizionin e vitit të ardhshëm për shkak se iu duhet të paguajnë një shumë parash që të jenë pjesë e festivalit.
Pjesëmarrësit paguajnë një tarifë për të marrë pjesë në konkurs, por shuma ndryshon në varësi të madhësisë së vendit. BBC Neës tregon se disa vendeve u është kërkuar të paguajnë më shumë pasi Rusia u ndalua nga konkursi.
Rusia, një kontribues i madh financiar, u përjashtua nga konkursi i këtij viti pasi pushtoi Ukrainën.
“Përveç kostove të konsiderueshme të tarifave të regjistrimit, si dhe kostos së qëndrimit në Britaninë e Madhe – ne u përballëm edhe me mungesë interesi nga sponsorët, ndaj vendosëm t’i drejtojmë burimet ekzistuese për financimin e projekteve kombëtare aktuale dhe të planifikuara.” tha transmetuesi publik i Malit të Zi RTCG.
Kostoja totale për të gjithë transmetuesit e përfshirë për të hyrë zakonisht shkon deri në rreth 5 milion £, por saktësisht se sa paguan secili pjesëmarrës nuk bëhet publike.
Kuptohet gjithashtu se disa vende të tjera konsiderohen të tërhiqen si rezultat i kostos shtesë.
Dy transmetuesit që janë tërhequr – RTCG dhe MRT – gjithashtu nuk arritën të kalonin fazën gjysmëfinale të konkursit të këtij viti në Torino, Itali.
MRT në një deklaratë tha se “rritja e tarifës së regjistrimit për pjesëmarrje”, si dhe kriza energjetike në Maqedoninë e Veriut i detyroi ata të marrin vendimin.
Organizatorët e konkursit të këngës – EBU – thanë se “ata duhet të mbajnë kostot e pjesëmarrjes sa më të përballueshme” dhe se tarifat e saj “llogariten bazuar në numrin e vendeve që konkurrojnë” duke marrë parasysh “statusin financiar”.
Një listë e plotë e vendeve që shkojnë në Merseyside në 2023 pritet të konfirmohet më vonë këtë javë.