
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në bashkëbisedimin me temë “Tirana në rrezik”, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka qenë ai që betonizoi Tiranën.
Sipas Berishës në kryeqytet po pastrohen miliona euro para të pista, me ndërtimin e kullave në çdo cep, pa zbatuar një plan të mirëfilltë urbanistik.
“U bënë ndërtimet socialiste, të cilat duhet pranuar, aspak të paraqitshme nga pikëpamja arkitekturore, por me urbanistikë rigoroze. Mes pallateve nuk ndërtoi kush. Ata erdhën me atë gjeometri.
Batërdia. Tirana njohu batërdinë me ardhjen e Edi Ramës në krye të Bashkisë. U mor me bojatisjen dhe është gjë normale, por në 11 vite nuk bëri planin e qytetit. Në 11 vite e kafshoi qytetin, siç deshi krejtësisht mbi parime korruptive. Ai kishte një stil, gjithë javën rrinte në Pezë dhe dilte të shtunë e të diel, për të ju thënë qytetarëve se po vdes në punë.
Në 4 vite ka rindërtuar 12 km rrugë, gjithsej. Tirana ka kilometra të paasfaltuara edhe sot. Gjatësia e rrugëve është disa mijëra kilometra në Tiranë. Bëri një gjë të mirë. Bëri një vendim qeverie për të shpallur zonë të mbrojtur, atë zonë që e meritonte të ishte e mbrojtur dhe më vonë do t’i sulej me tërbim të shkatërronte këtë zonë. Nga 26 monumente kulture të shpallura, janë zhdukur dhe kanë ngelur 2-3 dhe ato presin kohën për tu rrafshuar.”, tha Berisha.
Sipas tij, po vërshojnë lumenjtë e narko-eurove duke shkatërruar kryeqytetin.
“Çdo qytet është normale që të ketë ndërtimet e kohës. Arkitektët e studios holandeze që merren me Tiranën apo Stefano Boere janë të njohur. Por çfarë ndodh me ta? Nëse këta arkitektë në Roterdam apo qytete të tjera kanë ndërtuar kryevepra, këtu ata transformohen me Ramën dhe me këtë kryetar bashkie ata përshtaten dhe gjithçka në Tiranë dikton pesha e drogës. Asnjëri nuk mund të jetë kundër një lagjeje moderne në Tiranë. Por kjo që ndodh me Tiranën nuk ndodh askund në botë. Janë vërsulur ku të ndërtojnë një kullë pa asnjë lloj lidhje dhe plani. Pa asnjëlloj respekti për kushtet urbanistike.
Çfarë po mbetet për Tiranën. Absolutisht Tirana që unë njoha 60 vite më parë, fëmijë, ishte shumë herë me eprore në trashëgimi dhe vlera se sa Tirana e sotme me kulla që përfaqësojnë lakminë e papërmbajtur dhe jo rregullin. Me kulla që ngulen ku të munden dhe si të munden, mjaftojnë të lahen tonelatat e eurove dhe drogës.
Para një jave kam parë treguesin e ndërtimit në Europë. Treguesin Shqipëria e ka 2 herë më të lartë se çdo vend tjetër të Europës, dhe 4 herë më të lartë se Suedia, e disa vende. Sepse këtu po vërshojnë lumenjtë e narko-eurove dhe po e shkatërrojnë qytetin”, tha ai.