Kur Juventusi nuk i rinovoi kontratën, Paulo Dibala me siguri nuk e kishte menduar se në këtë periudhë të vitit, kur të gjitha klubet kanë më shumë se një muaj që po punojnë për merkaton, do të gjendej pa skuadër.

Një sulmues i kalibrit të tij, ende në moshën 28-vjeçare dhe mbi të gjitha me parametër zero, duhet të ishte një alternativë joshëse për gjithë Europën, por argjentinasi është larg marrëveshjes me ndonjërin prej tyre.
Në fakt, që me mbarimin e sezonit, Paulon duket se e kishte “hipotekuar” Interi dhe asnjë klub tjetër nuk mund të hynte mes tyre, por gjërat ndryshuan rrugës.
Nga propozimi fillestar prej 7 milionë eurosh në sezon, përfshirë dhe bonuset për 4 vite, drejtuesit e ulën ofertën në 5 milionë euro plus 1 milion euro në formë bonusesh, me kushtin që Dibala të luajë më shumë se 50% të ndeshjeve të sezonit të ardhshëm.
E në fakt shpërblimet dhe forma e tij, që sezonin e fundit nuk ka qenë konstante, janë pikëpyetjet e Interit dhe të të gjithë të tjerëve të interesuar.
Me Juventusin, “La Joya” ka humbur një pjesë të konsiderueshme të ndeshjeve edhe për shkak dëmtimesh, duke e bërë këtë arsyen kryesore të riformulimit të ofertës së milanezëve.

IDEJA E RE – Por duke parë situatën e ngelur pezull, jo vetëm për shkak të kërkesave të Dibalës dhe agjentit të tij mbi bonuset, por edhe të merkatos në dalje të zikaltërve që nuk po shkon si duhet, Bepe Marota ka një plan B për sulmuesin, siç raporton “Corriere dello Sport”.
Ai është “i përkëdheluri” i tij dhe këtë nuk ngurroi ta pranonte edhe në intervistën e parë të sezonit dhe tashmë administratori i deleguar është në udhëkryq mes dëshirës për ta pasur tek Interi dhe rrethanave që janë krijuar.

Por gjithmonë në koherencë me interesat e shoqërisë që drejton, ideja e fundit e Marotës është një kontratë 1- vjeçare me opsion rinovimi për tri vite të tjera, praktikisht një periudhë prove për Dibalën, që do të zgjasë deri verën e ardhshme.
Nëse gjatë sezonit që do të nisë, 28- vjeçari do të plotësojë kushtet që do t’i jenë vendosur nga shoqëria, rinovimi do të jetë automatik, duke e vulosur një herë e mirë “martesën” mes tyre.
Përveç shifrave që nuk janë përcaktuar, nuk dihet ama si do ta presë Dibala këtë ide, pasi një propozim i tillë do ta dëmtonte jo pak figurën e tij.
Përgatiti: NISLI GJINI
Loading…
Loading…
and then