Alaba, 11 vite si fitues serial/ Tani kthehet në origjinë

Mbrojtësi i Realit të Madridit, David Alaba, ka nisur përgatitjet me klubin madrilen për sezonin e tij të dytë në këtë klub. Sezoni i parë ka qenë mbresëlënës për të, teksa arriti të fitonte tre trofe: kampion i Europës, kampion i Spanjës dhe fitues i Superkupës së Spanjës. Austriaku është kthyer praktikisht në një makinë fituese, një lojtar që festimet në fund të sezonit i ka bërë zakon në jetën e sportive.

Diseño_sin_título_(1)

Sukseset me Realin e Madridit i shtohen koleksionit të trofeve të fituar në Mynih me Bajernin. Koleksioni i titujve të austriakut është mbresëlënës, në radhë të parë bazuar te sukseset me Bajernin, të cilin ai e urrente si fëmijë për humbjet ndaj tyre, por që më pas u bë si shtëpi e dytë.

E për ta vijuar në sezonin e tij të parë në “Bernabeu” me fanellën e Realit. Ai u largua nga Gjermania me 27 tituj, që do të thotë se rekordi i tij tani është 30, duke i shtuar tre trofetë e fituar me Madridin. Kjo e bën David Alabanë një nga lojtarët më të suksesshëm të Realit. Ai është lojtari që ka fituar më shumë sezone radhazi se askush tjetër. Duke nisur që nga viti 2012, ai e ka mbyllur çdo sezon të luajtur me të paktën një trofe të fituar.

Në sezonin 2020-‘21 – në të cilin Reali mbeti pa fituar asgjë për herë të parë që nga sezoni 2009-‘10 – mbrojtësi austriak fitoi Bundesligën e tij të fundit me fanellën e bavarezëve. Atij titulli iu shtuan dhe Superkupa e Europës dhe Botërori i Klubeve. Sezoni 2011-2012 ka qenë i fundit që David Alaba e mbylli pa fituar asnjë trofe. Që nga ai sezon, austriaku numëron suksese të pandërprera. Të fundit erdhën në sezonin që lamë pas me Realin. I veçantë ishte titulli kampion në Spanjë, i dhjeti radhazi për të, nga të cilët 9 në Gjermani me Bajernin dhe ky i sezonit që u mbyll në Spanjë me Madridin.

ALABA

KTHIM NË ORIGJINË – Sezoni që nis së shpejti pritet të sjellë ndryshime edhe për mbrojtësin austriak. Me shumë gjasa, ai do të zhvendoset në krahun e majtë të mbrojtjes së Realit pas afrimit të Antonio Rydigerit nga Çelsi. Në sezonin e kaluar, austriaku formoi një dyshe qendre të shkëlqyer, së bashku me Eder Militaon. Por me ardhjen e Rydigerit në Madrid, për Alabanë hapen skenarë të rinj.

Ai pritet të kthehet në rolin për të cilin u bë i njohur në Europë, në krahun e majtë. Ançeloti e di mirë që nga koha e tij në Mynih se çfarë kontributi mund të japë Alaba në krahun e majtë. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen, është e qartë se Ferland Mendi është një nga mbrojtësit e krahut më të mirë në botë, por kur bëhet fjalë për përparimin në sulm, kontributi i Alabasë është gati i pazëvendësueshëm. Shkathtësia e austriakut është një plus për Ançelotin dhe me shumë gjasa, italiani nuk do të privohet nga ky avantazh.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×