Alked Çelhaka largohet nga Flamurtari. U bënë tri ditë që nuk duket në stërvitje dhe kjo mungesë nuk është pa gjë.
Mesfushori nuk është njoftuar për grumbullimin, duke mbetur përfundimisht jashtë planeve të vlonjatëve.
Burime pranë klubit, por edhe pranë vetë lojtarit, e konfirmojnë një gjë të tillë për “Panorama Sport”.
Ai vinte në Vlorë pas eksperiencave tek Egnatia, Besa, Tirana dhe Laçi.
Nuk dihet se përse mbeti jashtë listës së të konfirmuarve, ndonëse bëri një sezon të mirë dhe ndihmoi në arritjen e objektivit.
Mungesa e hapësirave dhe afrimet që priten e kanë çuar stafin teknik dhe atë drejtues që të marrë këtë vendim.
Tashmë kavajasi del lojtar i lirë në treg dhe mbetet në pritje të ofertave nga skuadra të tjera.
Në kësi kushtesh, shkon në tre numri i lojtarëve të larguar nga kuqezinjtë.
Më herët iku portieri Saugli Alimuçaj dhe pas tij mbrojtësi Vangjel Gjipali. Me ardhjen e Kaloshit, i pari nuk do të kishte më hapësira dhe gjasat janë që të huazohet tek Oriku. Edhe i dyti ka kaluar te skuadra e Arlind Rustemit, për sezonin 2022-2023.
GOCAJ – Mbaron leja edhe për Olsi Gocajn. Mbrojtësi ishte në Amerikë dhe përfundimisht ka mbyllur pushimet. Ai është kthyer në Shqipëri dhe direkt ka marrë rrugën për në Vlorë, duke u vendosur nën urdhrat e Dritan Resulit.
MERKATOJA – Mbërrijnë në Vlorë tre afrikanë.
“Panorama Sport” mëson se bëhet fjalë për tre lojtarë, dy sulmues dhe një mesfushor. Ata janë nga Bregu i Fildishtë dhe të gjithë karrierën e tyre e kanë përqendruar në vendlindje. Burime pranë klubit konfirmojnë se futbollistët janë 24-25-vjeçarë.
Ata identifikohen me emrat Zambi, Emanuel, Silvi, por të dhëna më shumë nuk jepen.
Megjithatë, afrikanët do të jenë në provë për disa ditë dhe vetëm pasi të kenë bindur stafin teknik, mund të firmosin. Ndërkaq, priten edhe dy lojtarë të huaj, të cilët do të vijnë nga Brazili.
Vlonjatët janë në bisedime edhe me disa lojtarë të Superiores dhe Kategorisë së Parë. Një prej dëshirave të mëdha të Flamurtarit është edhe Mentor Mazrekaj, pistë e cila duket e vështirë, pas paraqitjes së kosovarit në Europë.
– Arena e Lajmit

Loading…
Loading…