EKSKLUZIVE/ Në “shënjestrën” e të kuqve, Partizani synon bomberin shqiptar që aktivizohet në Itali (VIDEO)

Partizanit i duhet me patjetër një pikë referimi në majën e sulmit, diçka që lojtarë si Skuka apo Cara nuk kanë mundur ta bëjnë.

SILVIO MERKAJ

Me largimin e Zhuniorit, skuadrës i kanë humbur shumë gola dhe klas në ofensivë dhe drejtuesit po punojnë fort për të gjetur një golashënues tipik.

Synimi është një qendërsulmues dhe “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se Partizani është në tratativa për të transferuar Silvio Merkajn.

24-vjeçari nga Vlora është një emër i njohur në arenën e futbollit italian, veçanërisht në sezonin e fundit, ku shkëlqeu në Serinë C me skuadrën e Virtus Entela.

PRAPASKENAT – Rruga për te Merkaj nuk është aspak e lehtë. Megjithëse 24-vjeçari dhe agjenti i tij kanë shprehur gatishmëri për të negociuar një transferim të mundshëm, mbërritja për te sulmuesi është një rrugë “e mbuluar” me shumë para.

Klubi i kuq ka hyrë zyrtarisht në negociata me drejtuesit e Virtus Entelës.

Këta të fundit i kanë bërë me dije Partizanit se për Merkajn kanë disa oferta dhe kërkojnë të përfitojnë rreth 500 mijë euro nga shitja e sulmuesit, i cili është nën kontratë me ta deri në vitin 2024.

Kjo e ka stepur shumë Partizanin, por jo aq sa për t’u dorëzuar.

“Demat” janë kthyer me propozimin e huazimit me të drejtë blerjeje në fund të sezonit të ri. Italianët po mendohen dhe në ditët në vijim pritet të kthejnë përgjigje.

MERKAJ

SHIFRAT – Me ekipin nga Liguria, Merkaj u aktivizua gjithsej në 40 ndeshje në Serinë C, prej të cilave 27 si titullar, ku realizoi 14 gola dhe dhuroi 7 asiste për shokët e skuadrës.

Më parë, 24-vjeçari ka mbajtur veshur edhe fanellat e Vastoxhirardit, Bitontos, Gelbizonit, Igeas, Neanias dhe Folinjos. Nëse vjen te Partizani, kjo do të ishte aventura e parë jashtë Italisë.

DENIS LALA – Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×