
Avokati Genc Gjokutaj e ka cilësuar akt të paprecedent dhe tepër trishtues hedhjen në erë të Prestige Resort dje me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Gjokutaj në një lidhje live përmes skype për News24 tha se në këtë rast kemi të bëjmë me një shkelje arbitrare të ligjit.
“Ajo është një pamje jo vetëm e trishtë nga ana grafike, por ajo ka një histori të shkeljeve ligjore dhe arbitrare. Është qëndrim kriminal ndaj një prone. Është tragjedi komedi. Se kam besuar deri në momentin kur Gjykata caktoi datën e gjykimit të ishte dita e hënë deri kur lexova urdhrin e kryeinspektores së IKMT-së që të shembej para datës 5. Mendoja se çështja do pezullohej. Mendova se në rastin e IKMT-së të merrte një vendim gjyqësore dhe të ishte e pastër deri në fund, qoftë për po apo për jo. Sot nuk vendosjen ligjshmëria apo jo e urdhrit administrativ të shembjes, por a kishte kushte për t’u pezulluar deri në urdhrin administrativ të çështjes. Nuk ka precedentë dhe nuk ka për të pasur ndonjëherë. Që në krye të 24 orëve të veprojë organi administrativ para se të shprehet gjykata.
Është penalitet i rëndë për IKMT. Me dashje të drejtpërdrejtë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe afatet procedurale. Avokatët e Prestige kanë qëndruar 2-3 ditë në ambientet e gjykatës, pasi nuk merrej si çështjes përsipër. Sjellja e dokumentacionit dje nga IKMT është njësoj sikur të vdekurit t’i mbushësh recetën e mjekimit, është tallje dhe ironi. Unë e quaj një element tallës. IKMT atë dokumentacion e ka pasur dhe ta jep në momentin e fundit. Gjykimi i në Administrative ka marrë fund, pasi tashmë nuk kemi më objekt për të pezulluar. Objekti është shembur, është bërë fakt, ndaj mendoj se avokatët e Prestige do të vijojnë me objektet e tjera të kërkimeve. Nga ana e tyre duhet të bëhet ndjekja e personave përgjegjës në rrugë penale për këtë dëm të pallogaritshëm të shkaktuar, pa kaluar në rrugë gjyqësore.
Çfarë të thuash për reagimin e Ramës! Qesharake. Kjo i hap rrugën çdo lloj korrupsioni. Vijimi i kësaj procedure duhet të jetë arma që i ka mbetur. Në një vend ku gjykatat nuk përfillen, këtu nuk flitet më për të drejtë. Administrata shpejt apo vonë do të përballet me vëtëgjyqësi, pse jo dhe me armë zjarri, për të mbrojtur pronat e tyre. Nëse kjo administratë, pasi mendoj se ajo udhëzon shtetasit në momentin kur i jepet vendimi administrativ, ku tregon se keni afat 5 ditor për të ankimuar. Kjo jo vetëm është goditje, por mospërfillje e drejtësisë. Të mos i shkosh gjykatësit në gjyq, apo një ditë para se ai do të gjykojë shkresën tënde, ti të ekzekutosh me kokëfortësi shkresën që ke bërë, kjo nuk është garë se kush është i pari! Imagjinoni kur Prestige të fitojë të gjitha gjyqet, kush do e sigurojë këtë proces?! Gjyqi kthehet në një farsë. sot do të ketë ilaritet në sallë, pasi do të diskutohet për një objekt që është shembur dhe që kërkohej pezullimi i kësaj kërkese të paligjshme.”, tha Gjokutaj.