![rama-konference-6-768x512-1-675x450-3-1 Rama Konference 6 768x512](https://www.arenaelajmit.com/wp-content/uploads/2022/05/rama-konference-6-768x512-1-675x450-3-1.jpeg)
TIRANË
Këshilli i Ministrave ka vendosur të shtyjë deri më 31 dhjetor gjendjen e emergjencës për furnizimin me energji elektrike. Në vendimin e qeverisë publikuar sot thuhet se gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 31 dhjetor 2022.
Ndërkohë që shfuqizohet pika tre e vendimit të parë të 8 tetorit 2021, sipas të cilës thuhej se : “Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike”.
VENDIMI
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.584, DATË 8.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në vendimin nr.584, datë 8.10.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 3 shfuqizohet.
2. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 31 dhjetor 2022.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Më 8 tetor qeveria vendosi shpalljen e gjendjes së emergjencës që solli dhe ngritjen e një grupi ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
VENDIMI I 8 TETORIT
VENDIM
PËR
SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
2. Ngritjen e grupit ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri.
3. Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
4. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike.
5. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.
6. Ngarkohen Zëvendëskryeministri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.