Sezoni i Vllaznisë shpëton vetëm nëse arrihet pjesëmarrja në Europë, më konkretisht në Ligën e Konferencës, pasi në të kundërt do të ishte një dështim me pasoja të mëdha për klubin shkodran.
Të paktën kështu kanë deklaruar edhe vetë drejtuesit e klubit, teksa skuadra ka aktualisht shanse për të kapur Europën qoftë nga kampionati, ashtu edhe nga finalja e Kupës kundër Laçit. Mirëpo, për të qenë të qetë më 31 maj, kur dhe është parashikuar të luhet finalja, kuqeblutë duhet të kenë mbyllur llogaritë përmes kampionatit.
Shansi i tyre i madh është që edhe me vendin e katërt e kanë të sigurt Europën, pra edhe nëse humbin në finale ndaj Laçit. Në kriterin për klasifikimin dhe skuadrat që fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes në Europë, shprehimisht thuhet: “Nëse klubi i renditur në vendin e dytë ose të tretë, fiton njëkohësisht edhe Kupën, atëherë ekipi i renditur në vendin e katërt do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës”. Kësisoj, të gjitha forcat e shkodranëve janë fokusuar në këtë moment tek arritja e vendit të katërt.
Në fakt, Vllaznia është vetëm një pikë larg, jo vetëm vendit të katërt, por edhe të tretë që mbahet nga Partizani. Në këtë situatë delikate të sezonit, kalendari i vjen në ndihmë jo pak skuadrës së Elvis Plorit.
Vllaznia luan të enjten në “Elbasan Arena” ndaj Dinamos, që praktikisht është e rënë nga Superiorja dhe në letër shkodranët kanë një kalendar më të mirë. Një tjetër fitore ndaj bluve do ta çonte ekipin e Plorit të qetë në përballjen direkte me Kukësin, që do ta luajë të hënën në Shkodër.
Fakti që me një tjetërrival për Europën luan në shtëpi, është një shans i madhqë kalendari u jep kuqebluvenë këtë fundsezoni. Kuqeblutëshpresojnë shumë që edhe nëjavën e 34-t, kur duhet të luajnë në transfertë me Tiranën,bardheblutë të kenë mbyllur çdo llogari me titullin dhe t’igjejnë të pamotivuar.
SITUATA – Fitorja me Skënderbeun, që erdhi pas gati dy muajsh në kampionat, ka ndryshuar jo pak atmosferën te kuqeblutë. Dje skuadra ka vijuar stërvitjen në fushën me bar natyral të Golemit, teksa në pjesën më të madhe të seancës ka pasur reshje shiu. Plori kërkon të mbajë në tonus ekipin, në një kohë që me Dinamon synohet vetëm fitorja, për të qenë sa më afër vendit të katërt, që siguron pjesëmarrjen në Europë.
A. URUÇI – Arena e Lajmit
