Nuk kanë fund çudirat në futbol lin shqiptar dhe sidomos në inferiore. Në të njëjtën ditë kur Komisioni i Disiplinës dhe Etikës përjashtoi tri ekipe të Kategorisë së Dytë me 5 sezone për trukim ndeshjesh (Gramshin, Internacionalin dhe Bulqizën), FSHF-ja vendos që Besa ta presë Bylisin në… Ballsh.
VENDIMI I FEDERATËS
Kur luhet java e 30-të e Kategorisë së Parë dhe jepen verdiktet finale për zonën “play out”, kavajasit do ta presin kundërshtarin në fushën e… kundërshtarit. Duket si lojë fjalësh, por kështu do të ndodhë vërtet. Nuk duket aspak “fair” në fakt, ndonëse ballshiotëve u leverdis kjo gjë. Ata do të marrin zyrtarisht trofeun e kampiones së kësaj lige dhe ku më mirë se në “Adush Muça”.
Në shtëpinë e tyre u krijohet mundësia që të festojnë me tifozët titullin e pestë. E megjithatë, dashur padashur krijohet një lloj paragjykimi dhe sidomos kur dihet që mallakastriotët nuk kanë më asnjë lloj interesi për 90- minutëshin e fundit të këtij kampionati.
Asnjë pikë e marrë apo e lënë nuk ua heq vendin e parë në renditje. Verdhezinjtë, në anën tjetër, nuk kanë siguruar ende shpëtimin dhe janë me pikë të barabarta me ekipe si Pogradeci e Turbina. Në kësi kushtesh, vetëm trepikëshi u bën punë për të shpëtuar sezonin. Kombinimet e të tria ndeshjeve do të përcaktojnë njëherë e mirë se kush do të pozicionohet në vend të 11- të e 12-të dhe rrjedhimisht do t’u duhet që të luajnë ndeshje shtesë për të siguruar qëndrimin.
REAGIMI I BIZHDILIT
Gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me Nexhat Bizhdilin për ta pyetur për këtë gjë. Presidenti tregon arsyet që e çuan për të pranuar këtë vendim. Ai deklaron se fusha e Luzit nuk do t’i favorizonte aspak, ndaj u leverdis që të luajnë në “Adush Muça”. Një fushë ku verdhezinjtë pretendojnë se mund të japin maksimumin dhe marrin pikët që i duan për të mbetur pjesë e kësaj lige.
“Kemi qenë të detyruar të luajmë në Luz prej gjatë gjithë kësaj periudhe dhe arsyeja është e qartë tashmë. Siç e dini, stadiumi ‘Besa’ nuk është funksional. Jo pak herë trajnerët më janë ankuar për fushën e Luzit dhe sidomos në dimër, kur ajo rëndohet nga shirat. Ju e dini se kemi luajtur edhe ne Peqin apo Pezë për këtë motiv… Kur jemi në prag të një ndeshjeje kaq të rëndësishme për ne dhe kërkojmë me çdo kusht fitoren, gjykuam që të luajmë në Ballsh kundër Bylisit. Ajo fushë do të na lejojë që të japim maksimumin”, përfundoi numri një i klubit verdhezi.
– Arena e Lajmit
