Vllaznia do të jetë e plotë ndaj Dinamos. Kuqeblutë kanë të gatshëm edhe tre lojtarët që munguan ndaj Skënderbeut: Da Silva, Krymi dhe Gjurgjeviç. Në këto kushte, trajneri Plori ka alternativa të mjaftueshme për të përzgjedhur lojtarët që do të hedhë në fushë nga minuta e parë në duelin me Dinamon.
Nisur nga kjo, porta dhe mbrojtja nuk do të njohin ndryshime nga java e shkuar. Lëvizjet priten në mesin e fushës. Pikërisht, do të rikthehet Krymi dhe po ashtu pritet që të kthehet në formacionin e parë edhe Da Silva.
Tre lojtarë janë në balotazh për një vend dhe kjo betejë është mes Gjurgjeviçit, Hoxhajt dhe Krujës. Gjithsesi, Plori pritet të aktivizojë formacionin më të mirë të mundshëm. Në portë do të jetë Zogoviç. Në mbrojtje pritet katërshja Gurishta, Adili, Bulatoviç dhe Hakaj.
Para kësaj katërsheje do të pozicionohen Krymi dhe Jonuzi me brazilianin Da Silva më të avancuar në mesfushë. Në vijën e sulmit Aralica do të jetë sërish në majë. Në të majtë të sulmit do të jetë Latifi. Ndërsa në të djathtë, Plori duhet të përzgjedhë një mes treshes Gjurgjeviç, A.Hoxhaj e Kruja.
Ky pritet që të jetë i vetmi pozicion që tekniku Plori do të vendosë për formacionin.
Arena e Lajmit
