Nikolla krah liderëve të Kosovës: Lidhja e Prizrenit na mëson se me mbështetjen e SHBA-BE gjithçka është e mundur

Nikolla

Kryetarja e Kuvendit, Linidta Nikolla, mori pjesë dhe përshëndeti në veprimtarinë me rastin e 144 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizuar nga Qeveria e Kosovës, në Prizren. Në këtë veprimtari mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe personalitete të tjera shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova.

Në fjalën e saj, Kryetarja Nikolla nënvizoi se “Si në të gjitha rastet e pikëpyetjeve të mëdha ekzistenciale, të mëparshme apo të mëvonshme, nëpërmjet Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shkëlqeu gjenialiteti i përballimit bashkarisht të sfidave e rreziqeve kombëtare.

Traktati i Shën Stefanit i 3 marsit 1878, si një marrëveshje paqeje midis Perandorisë Ruse dhe asaj Osmane, injoroi totalisht Shqipërinë dhe gati gjysmën e trojeve shqiptare vendosi tua jepte shteteve sllave ballkanike.

Siç ka ndodhur shpesh në historinë tonë, rreziku ndërgjegjësoi faktorët kombëtarë dhe i bashkoi për krijimin e një fronti të vetëm politik. Urtësinë kombëtare “Ra ky mort e u pamë” sikur e lindi ky moment.

Avancimi i rrezikut të copëtimit dhe rritja e vetëdijes së faktorëve politikë, inkurajoi evoluimin e ndërgjegjes kombëtare.

Rezultati ishte Lidhja Shqiptare të Prizrenit, misioni historik kombëtar i së cilës ishte themelimi i një organizate politike e ushtarake, për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, me një qendër drejtuese kombëtare e degë në të gjitha krahinat e vendit.

Lidhja e Prizrenit është një shenjë kombëtare. “Leximi” i saj është i dobishëm dhe i domosdoshëm edhe sot, një shekull e gjysmë me pas. Lidhja tregoi se interesat atdhetare duhet të mbizotërojnë ndaj interesave politike, fetare a të natyrave të tjera.

Kanë kaluar 144 vjet nga themelimi i Lidhjes. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Evropa Juglindore, nga një teatër ambicjesh grabiqare, ka hyrë në korsinë e krijimit të një rajoni zhvillimi, mirëqenieje e paqeje.

Por një pjesë e saj, të cilën gjeografikisht e politikisht e quajmë Ballkani Perëndimor, po ecën me ritme më të ngadalta drejt familjes evropiane dhe familjes së kombeve demokratike.

Sot në horizontin e rajonit duken re që paralajmërojnë rreziqe të influencave joperëndimore, ndaj atyre perëndimore. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës rrezikon të shembë arkitekturën e sigurisë evropiane dhe të shndërrohet në një zhvillim ekstravers dhe introvers.

Nuk ka rrugë më të lehtë për të sfiduar perëndimizimin, demokratizimin dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor sesa ngadalësimi, me apo pa vetëdije, i procesve integruese evropiane dhe evro-atlantike.

Krahasuar me kohën e Lidhjes, sot ne, shqiptarët, nuk jemi të injoruar e mohuar. Përkundrazi, jemi vendosur në anën e duhur të historisë, duke u bërë partnerët strategjikë më të besueshëm të demokracive të kohës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Përshpejtimi i integrimeve rajonale rrit shpejtësinë e integrimit evropian të vendeve të rajonit.

Sot është momentumi që Shqipëria dhe Kosova e të gjithë shqiptarët të shndërrohemi në një motor të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal.
Kjo do të maksimizonte ndikimin e faktorit shqiptar në rajon dhe lehtësonte arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta, shtimin e njohjeve dhe fuqizimin e Kosovës në marrëdhëniet dhe organizatat ndërkombëtare.

Gjej rastin të nënvizoj se Kuvendi i Shqipërisë ka hyrë në një stad të ri të bashkëpunimit me Kuvendin e Kosovës. Pjesë e këtij procesi është rakordimi e dakordësimi i qëndrimeve të delegacioneve tona parlamentare në organizatat ndërkombëtare dhe gjithashtu delegacionet tona po bëhen zëri i fuqishēm i Kosovës aty ku Kuvendi i Kosovës nuk është i përfaqësuar.

Shqipëria po mbështet kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe këtë po u kërkojmë të gjitha shteteve anëtare.
Është shumë e rëndësishme që Shqipëria dhe Kosova të përparojnë, duke u mbështetur në aleatët tanë strategjikë perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Pa këtë mbështetje, asgjë nuk është e garantuar. Me këtë mbështetje, gjithshka është e mundur.”

Arena e Lajmit

Nikolla krah liderëve të Kosovës: Lidhja e Prizrenit na mëson se me mbështetjen e SHBA-BE gjithçka është e mundur

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook