Parandalimi i falsifikimit të monedhave, Banka e Shqipërisë firmos marrëveshjen me Ministrinë e Brendshme e Prokurorinë

4474777

Banka e Shqipërisë firmosi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë e Përgjithshme më qëllim parandalimin e falsifikimit të monedhave në vendin tonë.

Në fjalën e tij në ceremoninë e rastit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se referuar të dhënave ka rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim.

“Të dhënat e fundit tregojnë një rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim, ku për vitin 2022 numri total është vetëm 343 copë, kundrejt një gjendjeje mesatare kartëmonedhash në qarkullim prej 157.5 milionë copësh ose 2.2 copë kartëmonedha të falsifikuara për 1 milion copë në qarkullim, kundrejt 5.4 në vitin 2021. Ndërsa, sa i përket monedhave metalike, prerja 50 Lekë vijon të jetë e vetmja monedhë e falsifikuar, në sasi të papërfillshme, me vetëm 79 copë, në vitin 2022, kundrejt 250 milionë copë monedhash në qarkullim. Treguesi tepër i ulët i kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare të falsifikuara kundrejt kartëmonedhave dhe monedhave në qarkullim, e rendit Shqipërinë ndër vendet me treguesin më të ulët të kartëmonedhave të falsifikuara. Në këtë frymë, Banka e Shqipërisë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruajnë sot këtë marrëveshje bashkëpunimi, si një përpjekje e mëtejshme për të forcuar kuadrin institucional dhe për të qartësuar protokollet operacionale të bashkëpunimit, në fushën e mbrojtjes së monedhave kundër falsifikimit”, tha Sejko.

Ndërkohë kryeprokurori Olsjan Çela tha se kjo marrëveshje është e nevojshme për vendin dhe se ka ndërtuar një bazën më të mirë bashkëpunimi për të ardhmen.

“Marrëveshja është e nevojshme. Vendosja e një platforme e njëjtë komunikimi mes institucioneve do ndihmojë në parandalimin dhe mbrojtjen ndaj monedhave të falsifikuara. Standardizimi i këtij komunikimi  do ndihmojë në këtë fushë dhe detyrimi që kemi ndërmarrë janë ato që marrëveshja i ka parashikuar shumë mirë. Unë vlerësoj disa nga elementët kyç të marrëveshjes, si qendra kombëtare e analizës e cila do të konvergojë gjithë informacionet që palët e kësaj marrëveshjeje do të përcjellin, dhe kjo qasja e re e standardizuar, analiza e informacionit do të jetë në dispozicion të institucioneve ligjzbatuese. Rritja e kapaciteteve profesione është një tjetër aspekt që vlerësoj. Në tërësinë e vet marrëveshja ka ndërtuar një bazën më të mirë bashkëpunimi për të ardhmen”, u shpreh ai ndër të tjera.

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×