Pas publikimit të emrave në 26 bashki të vendit, kryesia e Partisë Demokratike do të vijojë me miratimin e emrave që do të futen në Primaret që do të mbahen në muajin dhjetor.
Gjatë paradites së sotme ka prezantuar kandidaturën Agron Loka, i cili do të kandidojë në Krujë, ndërkohë që në mesditë prezantohet edhe Enkeleda Mushi për Gjirokastrën.
Gjatë prezantimit në selinë blu, Loka u shpreh se “Sot, nga drejtimi i Bashkisë sonë nga Rilindja, Kruja dhe Krutanët, ashtu si e gjithë Shqipëria po përjetojnë më shumë varfëri, më shumë mjerim, më shumë korrupsion, më shumë emigrim dhe më shumë mashtrim dhe gënjeshtra.
Përballja dhe trajtimi i pasojave dhe dëmeve të shkaktuara nga tërmetet e shtatorit dhe nëntorit të 2019, braktisja në pandeminë Covid 19, helmimi i qytetarëve nga uji pijshëm, shfaqën papërgjegjshmërinë dhe fytyrën anti-njerëzore të këtij klani politik. Sot çdo Prind Krutan, përballet me papunësinë dhe ndjehet i pambrojtur dhe i pambështetur për të realizuar përgjegjësitë e tij prindërore në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve të tij”.