Me kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, Fiorentina e ka të domosdoshme që të përforcojë organikën e saj. Kështu, klubi “vjollcë” është hedhur fuqishëm në këto ditët e fundit të merkato, ku plot tre lojtarë shqiptarë janë në radarin e trajnerit Vinçenco Italiano.

Pasi e mbylli me Barak të Veronës, dhurata e radhës për trajnerin dhe tifozët do të jetë Nedim Bajrami. Kështu raporton Karlo Laudisa nga “Gazzetta dello Sport”. Fantazisti është ndjekur gjatë gjithë merkatos nga Fiore, si dhe palët kanë biseduar disa herë. Pritet që në ditët në vijim të mbyllet dhe marrëveshja. Empoli do të përfshijë në transferim mesfushorin Zurkovski dhe Kuame, të dy pjesë e Fiorentinës. Ndërkohë alternativë tjetër është Sasuolo, e cila është kthyer në një pistë të nxehtë.
FIORE, PAS KUQEZINJVE- Siç duket në këtë merkato, Empolit nuk do t’i lënë asnjë shqiptar në ekip. Pas “rrëmbimit” të Kristjan Asllanit nga Interi dhe Bajramit që është me një këmbë jashtë, Fiore tashmë mendon tri emra për mbrojtjen, mes tyre edhe Ardian Ismajli.
Sipas “Corriere Fiorentino”, skuadra vjollcë i ka vënë syrin lojtarit të Empolit dhe Kombëtares shqiptare. I gjithë problemi qëndron tek Empoli dhe këta të fundit e kanë programuar Ismajlin si pjesë të rëndësishme për projektin e tyre këtë sezon. Kështu që, për këtë arsye, shifra e ofruar nga Fiorentina duhet të jetë më se tunduese për të marrë shërbimet e lojtarit kuqezi. Por nuk është vetëm Ismajli, pasi me përditësimet e merkatos të Fiores, ashtu siç shkruan Di Marcio, janë edhe dy profile të tjera për mbrojtjen.
Dimitris Nikolau nga Specia dhe Marash Kumbulla nga Roma. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare nuk shihet si titullar nga portugezi Murinjo dhe në Firence duan të përfitojnë. Një pengesë është vetëm për transferimin e mbrojtësit, ajo e vlerës që pretendon Roma, që kërkon 18-20 milionë euro. Teksa kanë mbetur vetëm disa ditë nga mbyllja e dritares së merkatos, pritet të shihet se çfarë do të ndodhë me lojtarët kuqezinj.
KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit
and then