“Duhet ta kishim mbyllur më shpejt”, Nagelsman: E dominuam Interin, tani radhën e ka Barcelona

Bajerni i ka bërë një nisje mjaft të mirë fazës në grupe në Ligën e Kampioneve. Ndonëse në një transfertë aspak të lehtë, si ajo në Milano, kampionët e Gjermanisë kanë fituar pa shumë probleme kundër Interit, duke e dominuar takimin nga fillimi në fund. Bavarezët i kanë dhënë një leksion skuadrës së Inzagit, duke lënë të kënaqur edhe trajnerin e tyre Julian Nagelsman. Bavarezët u janë përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme kritikave të para në Gjermani pas dy barazimeve radhazi në Bundesligë përballë Gladbahut dhe Union Berlinit.

NAGELSMAN

NDESHJA – “Nëse do ta marrim ndeshjen në tërësinë e saj, duhet të jemi të kënaqur sepse kemi kontrolluar gjithçka. Duke parë zhvillimin e takimit, unë mendoj se në pjesën e dytë duhet ta kishim goditur më herët kundërshtarin, duhet ta kishim mbyllur më shpejt takimin. Por pavarësisht kësaj unë mendoj se kemi fituar me meritë”.

GJENDJA – Trajneri i Bajernit ka vlerësuar me nota pozitive dhe gjendjen fizike të ekipit pas suksesit në Milano. “Skuadra më është përgjigjur plotësisht, shoh se në ekip ka mjaft energji pozitive. Kjo është situata ideale për çdo trajner, ndaj nuk ka përse të mos jem i kënaqur me atë çfarë më dhuron skuadra”, ka shtuar ai.

SANE – Bajerni ka mundur Interin dhe pa dyshim që figura kryesore ka qenë Leroi Sane. Sulmuesi i kombëtares gjermane ka çoroditur mbrojtjen e Interit, duke shënuar dhe një gol të shkëlqyer. “Sane ka qenë i shkëlqyer, veç golit ka krijuar dhe shumë mundësi për shënim. Goli i tij ka qenë i mrekullueshëm”.

LEVA MYSAFIR – Pas Interit, Bajerni do të presë në shtëpi Barcelonën në takimin e dytë në grup. Në Mynih do të vijë vizitor Robert Levandovski. “Ishte mjaft e rëndësishme që e nisëm me tri pikë. Tani presim Barcelonën. Një ndeshje e tillë është një ëndërr për të gjithë”.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI


“Duhet ta kishim mbyllur më shpejt”, Nagelsman: E dominuam Interin, tani radhën e ka Barcelona

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook